
Kanë përfunduar 4 ndeshjet e vlefshme për javën e gjashtë të Premier Ligës
Në “Etihad”, Mançester Siti është rikthyer te fitorja, pasi mposhti 5-1 Bërnlin e Armando Brojës. Vendasit kaluan të parët në avantazh falë autogolit të Esteve, ndërsa barazimi i miqve erdhi në minutën e 38 me Xhejdon Entoni, i cili barazoi shifrat pas një aksioni të bukur të finalizuar me sukses. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Në pjesën e dytë, “Qytetarët” gjetën golin dhe dy herë të tjera, ku njëri prej tyre ishte sërish autogol.
Në minutën e 60, Mateus Nunjes shënoi për shifrat 2-1, pas asistit me kokë të Erling Haland. Në minutën e 65, mbrojtësi francez Maksim Esteve sërish i pafat, pas një dyluftimi me Oskar Bob, dërgoi topin në portën e tij. Armando Broja u fut në fushë 10 minutat e fundit, por pa arritur të bënte gjë. Haland shënoi dy gola në minutat e fundit, duke vulosur fitoren 5-1.
Çelsi zhgënjeu duke u mundur 1-3 në “Stamford Bridge” nga Brajtoni. “Blutë” gjetën golin të parët në minutën e 24, pas një kombinimi fantastik, Kaisedo-Estevao-Enzo Fernandez. Kaisedo dha një pasim të mrekullueshëm për brazilianin Estevao, i cili krosoi në zonë dhe Enzo Fernandez e pati shumë të lehtë për ta dërguar topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për londinezët.
Në fillim të pjesës së dytë, Çelsi mbeti me 10 lojtarë, pasi Trevoh Shalobah u ndëshkua me karton të kuq, për ndërhyrje të rrezikshme ndaj kundërshtarit. Deni Uellbek barazoi shifrat me kokë në minutën e 77, pas asistit të Minteh. Në minutën e dytë shtesë, Maksim De Sajper shënoi me kokë duke kaluar Brajtonin në avantazh. Në minutën e fundit shtesë, Deni Uellbek shënoi golin e tretë pas asistit të Brajan Grudës, i cili përfitoi nga një humbje qesharake e topit nga mbrojtja e “Bluve”. Çelsi turpërohet keq, Brajtoni fiton përfundimisht 1-3.
Pas 5 fitoreve radhazi, Liverpuli është ndalur për herë të parë në këtë sezon në Premier Ligë, duke provuar edhe humbjen e parë. Kampionët në fuqi janë mundur 2-1 nga Kristal Palas. Vendasit gjetën avantazhin pas 8 minutash lojë me Ismaila Sarr, i cili shënoi pas një topi të ardhur nga goditja e këndit dhe rrëmujës së krijuar në zonë.
Liverpuli barazoi shifrat në minutën e 87, me Frederiko Kiezën i futur në fushë në pjesën e dytë. Vendasit nuk u dorëzuan, Eduard Nkeitah shënoi golin e fitores së madhe të Kristal Palas në minutën e 90+7.
Lini një Përgjigje