
Futbolli holandez mund të përballet me një situatë të paprecedentë, ku deri në 133 ndeshje në Eredivisie dhe Erste Divisie rrezikojnë të riluhen. Problemi lidhet me statusin ligjor të futbollistëve me dy nënshtetësi dhe mund të marrë një kthesë vendimtare më 4 maj, kur pritet vendimi i gjykatës në Utreht.
Sipas “ESPN”, prej disa javësh Liga, Federata Holandeze e Futbollit dhe klubet janë përfshirë në një debat kompleks mbi pasaportat dhe nënshtetësinë e futbollistëve të lindur në Holandë, por që përfaqësojnë kombëtare të tjera si Surinami, Indonezia apo Kepi i Gjelbër.
Rasti u bë publik pas ndeshjes së 15 marsit, ku NAC Breda u mund 6-0 nga Go Ahead Eagles. Një ditë më pas, në podcastin “De Derde Helft”, opinionisti Roxher Xhekobs hodhi dyshime mbi vlefshmërinë e rezultatit.
“Në realitet, NAC ende mund ta fitonte ndeshjen në tavolinë,” deklaroi Xhekobs, duke shtuar se Go Ahead kishte aktivizuar një lojtar që nuk duhej të ishte në fushë.
Në qendër të debatit është Den Xhejms, mbrojtësi 26-vjeçar i lindur në Holandë, i cili në vitin 2025 pranoi të luajë për kombëtaren e Indonezisë.
Xhekobs u shpreh:
“Nëse je një futbollist holandez me origjinë indoneziane, mund të zgjedhësh të luash për Indonezinë. Merr një pasaportë, por ajo që shumë nuk e dinë është se në disa raste humbet nënshtetësinë holandeze.”
Ky interpretim u mbështet edhe nga profesoresha e së drejtës sportive, Marjan Olfers, e cila për “ESPN” theksoi:
“Nëse një futbollist heq dorë nga nënshtetësia holandeze, ai hyn në një juridiksion tjetër dhe konsiderohet i huaj, ndaj duhet të pajiset me leje pune për të luajtur.”
Për të marrë leje pune në Holandë, futbollistët duhet të përmbushin disa kritere, përfshirë një pagë minimale prej 608 mijë euro në vit (ose 304 mijë euro për lojtarët nën 21 vjeç).
Sipas raportimeve, Den Xhejms përfiton rreth 150 mijë euro në vit, shumë më pak se pragu i kërkuar, çka ngre dyshime se ai mund të ketë luajtur pa lejen e nevojshme.
Xhekobs paralajmëroi:
“Nëse NAC e zbulon dhe shkon në Apel, mund ta fitojë ndeshjen në tavolinë.”
Vetëm katër ditë pas publikimit të podcastit, NAC Breda dorëzoi zyrtarisht një ankesë në Federatë.
Çështja ka nxjerrë në pah edhe mungesën e ekspertizës ligjore në disa klube. Sipas Olfers, klubet më të vogla shpesh shmangin kostot e këshillimit juridik, duke rrezikuar gabime të tilla.
Nga ana tjetër, edhe vetë futbollistët pranojnë mungesë informacioni. Luçiano Slagvir, sulmues i TOP Oss dhe i kombëtares së Surinamit, u shpreh:
“Duhej të kisha bërë më shumë kërkime. Nëse do ta dija që humbisja nënshtetësinë holandeze, do të mendoja ndryshe.”
Ankesa e NAC Breda u refuzua fillimisht nga Federata, por vendimi përfundimtar pritet nga gjykata më 4 maj.
Zëvendëspresidentja e Federatës, Marian Van Liuen, paralajmëroi:
“Mund të ndodhë që kampionati të mos mbyllet.”
Edhe pse NAC pretendon se padia lidhet vetëm me një ndeshje, rreziku për krijimin e një precedenti mbetet i lartë. Nëse gjykata vendos në favor të klubit, edhe skuadra të tjera mund të ndjekin të njëjtën rrugë ligjore.
Lini një Përgjigje