
Interi ka mposhtur Juventusin me rezultatin 3-2 në supersfidën e javës së 25-të në Serinë A, duke konsoliduar pozitat në krye të renditjes. Kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi për zikaltërit në kampionat.
Takimi u zhbllokua në minutën e 17-të. Pas një topi të humbur në zonë nga Xhonatan Devid dhe një kombinimi që përfshiu Markus Turam dhe Luis Henrike, topi i destinuar për Lautaro Martinez u devijua në portën e tij nga mbrojtësi i Juventusit, Andrea Kambiaso.
Megjithatë, bardhezinjtë reaguan shpejt. Në minutën e 26-të, Kambiaso riktheu baraspeshën, duke shfrytëzuar asistin e Ueston MeKkeni. Pas një krosimi në zonë, mbrojtësi italian u tregua më i vëmendshëm se kundërshtari i tij dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-1.
Në fundin e pjesës së parë, Interi iu afrua sërish golit. Turam goditi me kokë, por portieri Mikele Di Gregorio reagoi me një pritje vendimtare, ndërsa Alesandro Bastoni goditi shtyllën. Në të njëjtën kohë, Pier Kalulu u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje ndaj Bastonit, duke lënë Juventusin me një lojtar më pak. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.
Pjesa e dytë nisi me presionin e Juventusit. Në minutën e 51-të, Jann Somer ndali tre tentativa radhazi nga Kambiaso, Jilldiz dhe Mireti, duke mbajtur në lojë Interin.
Zikaltrit rikthyen avantazhin në minutën e 76-të. Françesko Pio Espozito, i futur në fushë pak minuta më parë në vend të Luis Henrike, shfrytëzoi një krosim të saktë të Federiko Dimarkos dhe shënoi për 2-1.
Juventusi nuk u dorëzua dhe barazoi sërish rezultatin. Manuel Lokateli realizoi me një goditje të saktë me të djathtën brenda zonës, pas asistit të dytë në ndeshje nga MeKkeni.
Kur ndeshja dukej se po shkonte drejt barazimit, në minutën e fundit të kohës së rregullt, Pioter Zielinski shënoi një gol spektakolar nga distanca, duke vulosur fitoren 3-2 për Interin.
Pas këtij suksesi, Interi kryeson Serinë A me 61 pikë, ndërsa Juventusi mbetet në vendin e pestë me 46 pikë.
Lini një Përgjigje