Sport10 Qershor 2023, 22:57

Stambolli 'ferr' për italianët por 'parajsë' për anglezët/ Siti kampioni i ri i Europës, triumfon me vuajtje përballë Interit (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Stambolli 'ferr' për italianët por 'parajsë'

Mançester Siti është kampioni i ri i Europës. Stambolli ka rezultuar sërish një “ferr” për ekipet italiane, por nga ana tjetër është një “parajsë” për ekipet angleze.

“Qytetarët” kanë mposhtur Interin me rezultatin minimal 1-0 në finalen e Champions League, duke fituar për herë të parë në historinë e klubit trofeun me “veshë të mëdhenj”, por nga ana tjetër ka barazuar rivalët e Mançester Junajtid, pasi mbrëmjen e sotme ata kanë kompletuar tripletën, ku më parë kanë fituar kampionatin anglez dhe FA Cup.

Sfida u zhbllokua në minutën e 68. Aksion i gjatë i anglezëve me qarkullimin e topit pranë zonës, topi shkoi te Rodri, i cili gjuajti dhe gjeti rrjetën.


Në minutën e 58, Lautaro humbi rastin e pastër për të kaluar Interin në avantazh. Një pasim i gabuar i dha mundësinë sulmuesit argjentinas të shfaqej para Ederson, por gardiani i Sitit i bllokoi rrezen e portës.


Ndërkohë pjesa e parë mes këtyre dy skuadrave u mbyll me rrjeta të paprekura.  

Në minutën e 4 u regjistrua edhe rasti i parë. Aksion me shumë pasime i anglezëve që mbylli shumë lojtarë të zikaltërve në prapavijë. Bermardo Silva provoi nga e djathta, por topi përfundoi jashtë katërkëndorit të mbrojtur nga Onana.


Në minutën e 20, Interi tentoi të përgjigjej me Brozoviç. Sulm i shpejtë i skuadrës së Inzagit me Dimarkon, kombinimi i tij me Lautaron bëri që Brozoviç të shfaqej në pozicion gjuajtjeje, por tentativa e tij përfundoi jashtë.


7 minuta më vonë, Haland u shfaq para Onanës dhe lëshoi një gjuajtje drejt portës, por diagonalja e tij u ndal nga portieri kamerunas.


Në muajin gusht, Mançester Siti do të përballet me Sevijan për të diskutuar trofeun e Superkupës së Europës.

inter mançester siti finalja e champions league