TAGS-AT E JAVËS

Sport24 Qershor 2025, 18:45

Tare e do me çdo kusht te Milani, kush është Ardon Jashari; mesfushori shqiptar që së shpejti pritet të bëhet ‘djall’

Shkruar nga Pamfleti

Tare e do me çdo kusht te Milani, kush është Ardon Jashari;

Milani po punon për të ndërtuar një mesfushë më të re dhe dinamike për të ardhmen, dhe një nga emrat që ka ngjallur interes të veçantë në radhët e klubit është Ardon Jashari, mesfushori 22-vjeçar me origjinë shqiptare dhe pasaportë zvicerane, që aktivizohet te Klub Bryzh.

Jashari, i cili u transferua nga Lucerna në verën e vitit 2024 për 7 milionë euro plus bonuse, ka shpërthyer që në sezonin e parë në kampionatin belg, duke u shpallur si lojtari më i mirë i sezonit dhe njëkohësisht talenti më premtues.

Gazetari i njohur belg, Sasha Tavolieri, ekspert i merkatos dhe i futbollit belg, ka dhënë një vlerësim shumë pozitiv për Jasharin:

Jashari është një mesfushor shumë i fortë. Mund ta zëvendësojë direkt Reijndersin në mesin e fushës. Madje është më i kompletuar se Reijnders kur ky i fundit mbërriti te Milani nga AZ Alkmar. Ka një aftësi të madhe në parashikimin dhe ndërprerjen e aksioneve, menaxhon mirë topin dhe e kupton saktë kur duhet të shtyjë përpara, duke u kthyer pothuajse në një numër 10 kur skuadra sulmon.”

Tavolieri shton gjithashtu se Jashari është gati menjëherë për formacionin titullar, pasi është i përgatitur psikologjikisht dhe teknikisht, dhe lexon lojën më shpejt se shumica e lojtarëve në pozicionin e tij.

Megjithatë, negociatat nuk do të jenë të lehta. Klub Bryzh kërkon mbi 30 milionë euro për kartonin e tij, një çmim i lartë, por jo i pazakontë për klubin belg, i njohur për qendrimet e forta në negociata (mjafton të kujtojmë rastin De Ketelare).

Në fund, Tavolieri përfundon:

Jashari është shumë i interesuar të shkojë te Milani dhe po punon me klubin për ta realizuar këtë transferim. Ai e adhuron idenë e veshjes së fanelës kuqezi dhe jam i bindur se do të shkëlqente në Milano.”

Një tjetër emër shqiptar në horizontin e madh të futbollit europian dhe ndoshta, së shpejti, edhe në zemër të “San Siros”.

 

ardon jashari mesfushori shqiptar milan igli tare

Lini një Përgjigje