TAGS-AT E JAVËS

Sport24 Qershor 2025, 17:50

Projektligji për sportin kalon në Komision, opozita akuza: Bëhet për të forcuar pozitat e Fidel Yllit

Shkruar nga Pamfleti

Projektligji për sportin kalon në Komision, opozita akuza: Bëhet

Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik miratoi sot projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për sportin”, mes debatit të fortë politik dhe kundërshtimeve nga opozita dhe aktorë të tjerë të sportit. Në qendër të diskutimit ishte roli i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe veçanërisht fuqizimi i pozitës së kreut të tij aktual, Fidel Ylli.

Projektligji parashikon që KOKSH të marrë kompetenca të reja, përfshirë organizimin e aktiviteteve sportive në arsimin parauniversitar dhe të lartë, si dhe përfshirjen në krijimin e një Këshilli Kombëtar të Arbitrazhit Sportiv (CAS). Opozita ngriti shqetësime se ky strukturim i ri i jep avantazhe direkte Fidel Yllit.

Deputetja demokrate Ina Zhupa u shpreh: “Ky projektligj i jep pushtet të pakontrolluar KOKSH-it dhe kreut të tij aktual. Po vendosni një strukturë të re për arbitrazhin sportiv, të varur nga një institucion që nuk ka pasur asnjë konsultim me federatat. Nuk kemi parë asnjë analizë të efektit të këtyre ndryshimeve dhe nuk janë marrë mendimet e aktorëve realë të sportit.”

Nga ana e tij, Fidel Ylli deklaroi se ndryshimet synojnë vetëm forcimin e institucioneve të sportit: “Unë nuk përfitoj asgjë personalisht. Jam në këtë detyrë pa pagesë, dhe çdo angazhim që marr e bëj vullnetarisht. CAS-i nuk do të jetë nën varësinë e KOKSH, por një ent i pavarur që do të garantojë drejtësinë në sport.”

Megjithatë, debatet u përqendruan te përfshirja e KOKSH në procesin arsimor dhe në CAS, për të cilat opozita kërkon më shumë kontroll dhe transparencë. Edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur rezerva, veçanërisht për strukturën dhe kompetencat e reja të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.

Projektligji do të kalojë së shpejti për votim në seancë plenare në Kuvend, ndërsa palët kanë paralajmëruar vazhdim të debatit në nivel institucional.

Lini një Përgjigje