
Sulmuesi Dardan Shabanhaxhaj duket se ka vendosur të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës. Sipas një dokumenti të publikuar nga “Telegrafi”, lojtari i Rubin Kazan ka marrë ftesë për ndeshjet e muajit mars, kur Kosova do të përballet me Sllovakinë më 26 mars në gjysmëfinalen e play-offit për kualifikim në Kupën e Botës.
Megjithatë, ftesa nga përzgjedhësi Franco Foda ka ardhur në një moment jo të favorshëm për futbollistin 24-vjeçar. Shabanhaxhaj ka pësuar një lëndim dhe pritet të qëndrojë jashtë fushave për disa javë, çka e bën të pasigurt pjesëmarrjen e tij në këtë grumbullim të Kombëtares.
Në dokumentin e dërguar nga Federata e Futbollit të Kosovës për klubin rus Rubin Kazan, bëhet e ditur se lojtari është përfshirë në listën e zgjeruar për ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses.
“Në përputhje me rregulloret e FIFA-s për Statusin dhe Transferimin e Lojtarëve dhe kalendarin zyrtar ndërkombëtar të ndeshjeve të FIFA-s lidhur me lirimin e lojtarëve për detyrë në kombëtare, dëshirojmë t’ju njoftojmë se z. Dardan Shabanhaxhaj është përfshirë në listën e zgjeruar për ndeshjet e ardhshme dhe mund të thirret zyrtarisht për t’iu bashkuar Kombëtares gjatë periudhës së grumbullimit”, thuhet në njoftim.
Sipas të njëjtit dokument, grumbullimi stërvitor i Kosovës do të nisë më 23 mars 2026. Në rast se lojtari ftohet zyrtarisht, ai do të qëndrojë me ekipin kombëtar deri më 1 prill 2026.
Aktualisht mbetet e paqartë nëse gjendja fizike e Shabanhaxhajt do t’i lejojë atij t’i bashkohet Kosovës për këtë cikël ndeshjesh.
Lini një Përgjigje