TAGS-AT E JAVËS

Sport21 Mars 2026, 18:17

Vendimi i CAF për Kupën e Afrikës rihap debatin historik, Guinea kërkon t’i rrëmbejë Marokut trofeun e 50 viteve më parë

Shkruar nga Pamfleti

Vendimi i CAF për Kupën e Afrikës rihap debatin historik, Guinea

Vendimi i Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF) për t’i dhënë trofeun e Kupës së Kombeve të Afrikës 2026 Marokut, 58 ditë pas finales së humbur nga Senegali, ka rikthyer në vëmendje debate të vjetra mbi standardet disiplinore.

Senegali, i cili kishte fituar në fushë me rezultatin 1-0, u ndëshkua pasi skuadra u tërhoq për disa minuta nga loja në shenjë proteste ndaj një penalltie të akorduar, e cila më pas u humb nga Brahim Diaz. Si pasojë, trofeu iu hoq dhe iu dha Marokut.

Vendimi i CAF ka nxitur reagimin e Federatës së Guinesë, e cila rikujton një episod të ngjashëm nga viti 1976. Në atë kohë, Kupa e Kombeve të Afrikës zhvillohej në një format me katër skuadra në grup final.

Në ndeshjen vendimtare të zhvilluar në Addis Abeba, Guinea kishte mundësinë të fitonte trofeun me një fitore, ndërsa Marokut i mjaftonte një barazim. Pas golit të Guinesë, lojtarët marokenë u larguan nga fusha për të protestuar ndaj një vendimi të gjyqtarit dhe u rikthyen vetëm pas më shumë se 10 minutash.

Ndeshja përfundoi 1-1, rezultat që i dha titullin Marokut.

Pas zhvillimeve të fundit, Federata e Guinesë ka kërkuar zyrtarisht rishikimin e titullit të vitit 1976, duke argumentuar se duhet të zbatohet i njëjti standard disiplinor.

Na ktheni trofeun e vitit 1976”, është mesazhi i paraqitur në apelin drejtuar CAF, sipas raportimeve të “Bein Sports”. Në këtë kërkesë theksohet se rregullat duhet të aplikohen në mënyrë të njëtrajtshme, pavarësisht kohës kur kanë ndodhur incidentet.

Megjithatë, një rishikim i tillë shihet si pak i mundshëm. Sipas rregulloreve aktuale të Kupës së Kombeve të Afrikës, konkretisht Nenit 84, një skuadër që braktis fushën pa lejen e gjyqtarit ndëshkohet me humbje 3-0, rregull që u aplikua në rastin e Senegalit.

Ky nen nuk ekzistonte në vitin 1976, çka e bën të vështirë aplikimin retroaktiv të të njëjtit standard.

Deri më tani, CAF nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare ndaj kërkesës së Guinesë. Megjithatë, çështja pritet të vazhdojë në instanca më të larta, me mundësinë që të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.

guinea kupa e afrikës

Lini një Përgjigje