Sport20 Prill 2024, 20:23

Xhekson “tradhton” Çelsin, Mançester Siti mposht Blutë e Londrës dhe kualifikohet në finalen e Kupës së Anglisë

Shkruar nga Pamfleti

Xhekson “tradhton” Çelsin, Mançester Siti mposht

Mançester Siti ka mundur me rezultatin e ngushtë 1-0 Çelsin në “Wembley” dhe ka kaluar në finalen e Kupës së Anglisë. Një humbje e hidhur për skuadrën e Poçetinos, duke parë rastet e shumta të shpërdoruara nga sulmuesi i londinezëve Xhekson.

Rasti më i pastër i pjesës së parë erdhi në minutën e 29 dhe u krijua nga skuadra londineze.

Enzo Fernandez dha një pasim përpara për Xhekson, me këtë të fundit që kapi në befasi mbrojtjen e “Qytetarëve” dhe u shfaq i vetëm përballë portierit Ortega, por nuk arriti të shënonte.

Shpërdorimet e senegalezit vazhduan në pjesën e dytë, me sulmuesin që u ndal dy herë brenda pak sekondave nga portieri Ortega edhe pse ishte në pozicione shumë të favorshme.

Rregulli i pashkruar i futbollit ‘gol i gabuar, gol i pësuar’, u bë e mundur në minutën e 84, kur Bernardo Silva zhbllokoi ndeshjen një metër larg portës.

Një lehtësim i madh për portugezin, i cili në mesjavë gaboi një nga penalltitë që i dhuruan kualifikimin në gjysmëfinalet e Champions League Realit të Madridit.

Skuadra e Pep Guardiolës do të përballet në finalen e Kupës së Anglisë me fituesen e çiftit Koventri-Mançester Junajtid, ndeshje që do të luhet nesër në orën 16:30 po në “Wembley”.

mançester siti çelsi kupa e anglisë