TAGS-AT E JAVËS

Editorial 1 Mars 2026, 10:34

Iluzioni i 'fitores së lehtë’ në Iran

Shkruar nga Gjergj Zefi
Iluzioni i 'fitores së lehtë’ në Iran
Iluzioni i fitores së lehtë në Iran /

Vdekja e Khameneit nuk garanton fundin e sistemit; ajo mund të çojë në destabilizim të brendshëm e jo një tranzicion të kontrolluar...

Ideja e një fitoreje të lehtë kundër Iran nuk është më thjesht një tezë e gabuar akademike; pas ngjarjeve të djeshme ajo tingëllon si një iluzion i rrezikshëm strategjik.

Sulmet e koordinuara të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj objektivave në territorin iranian u paraqitën si një operacion vendimtar për të gjunjëzuar kapacitetet ushtarake dhe për të hapur rrugën drejt një ndryshimi regjimi.

Por brenda pak orësh u bë e qartë se narrativa e “goditjes kirurgjikale” nuk përputhet me realitetin e terrenit.

Edhe pse është konfirmuar vdekja e Ali Khameneit, kjo nuk garanton fundin e sistemit. Struktura e Republikës Islamike nuk është e ndërtuar rreth një individi të vetëm, por mbi institucione që funksionojnë në mënyrë kolektive; me Gardën Revolucionare dhe elitën fetare si shtylla kyçe.

Një boshllëk në majë mund të prodhojë rivalitete të brendshme dhe destabilizim afatshkurtër, por po aq lehtë mund të sjellë konsolidim të vijës së ashpër. Historia e regjimeve ideologjike tregon se presioni i jashtëm shpesh shërben si ngjitës i brendshëm.

     Teherani nuk po reagon si një regjim në agoni, por si një shtet që kishte përgatitur skenarë  për përshkallëzimin. Raketa drejt Izraelit, sinjale kërcënuese ndaj infrastrukturës energjetike rajonale si dhe aktivizimi i aleatëve të tij në disa fronte dëshmojnë se Irani nuk është objekt pasiv i historisë, por aktor me kapacitet të plotë për ta zgjeruar konfliktin.

Këtu shembet miti i fitores së shpejtë. Edhe nëse një figurë qendrore eliminohet, struktura e pushtetit në Iran nuk është piramidë që rrëzohet me një goditje në majë. Është sistem me shtresa, me Gardën Revolucionare të ndërthurur në ekonomi, siguri dhe politikë. Dekapitimi nuk është sinonim i kapitullimit. Përkundrazi, mund të prodhojë konsolidim të brendshëm përballë një armiku të jashtëm, duke e forcuar narrativën nacionaliste.

Reagimi ndërkombëtar e bën edhe më të brishtë tezën e “fitores së lehtë”. Rusia e ka cilësuar ofensivën si akt agresioni dhe ka sinjalizuar gatishmëri për të hyrë në lojën diplomatike, por edhe për të rritur kapitalin e saj politik në rajon.

Bashkimi Europian ka bërë thirrje për përmbajtje, i vetëdijshëm se një konflikt i hapur do të godiste drejtpërdrejt tregjet energjetike dhe stabilitetin ekonomik të kontinentit. Çdo përshkallëzim në Ngushticën e Hormuzit përkthehet menjëherë në tronditje globale financiare të bursave. Kjo nuk është një luftë periferike; është një nyje e sistemit ndërkombëtar.

Për më tepër, supozimi se një ofensivë e fuqishme do të prodhojë automatikisht një regjim pro-perëndimor është politikisht naiv.

Historia e ndërhyrjeve në Lindjen e Mesme ka treguar se rrëzimi i një strukture pushteti nuk garanton stabilitet, aq më pak demokraci funksionale. Vakumi është po aq i rrezikshëm sa regjimi që synohet të zëvendësohet.

Në rastin e Iranit, vakumi mund të mbushet nga një konfigurim edhe më i ashpër, më ushtarak dhe më konfrontues.

Ngjarjet e djeshme provuan një gjë themelore: Irani nuk është objektiv që bie me një operacion spektakolar. Është shtet me kapacitet reagimi, me rrjet rajonal dhe me instinkt mbijetese. Të mendosh se mund të mbyllet një kapitull me disa valë bombardimesh është të injorosh historinë dhe realitetin strategjik. Fitorja e lehtë nuk është plan; është slogan. Dhe sloganet, në Lindjen e Mesme, zakonisht paguhen shtrenjtë.

Në këtë kuptim, narrativa e “fitores së lehtë” nuk është thjesht optimizëm i tepruar; është keqlexim i realitetit strategjik. Konflikti me Iranin, nëse hyn në fazë të hapur, nuk do të jetë sprint ushtarak, por maratonë politike, ekonomike dhe gjeopolitike; me pasoja që do të tejkalojnë kufijtë e Lindjes së Mesme. Titujt triumfalë mund të zgjasin një ditë; balancat e reja të fuqisë formësohen në vite./Pamfleti

 

iluzioni i fitores së lehtë irani

Lini një Përgjigje

Editorial