TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Korrik 2026, 17:25

Veliaj kërkon largimin e gjyqtares Flora Hajredinaj

Shkruar nga Pamfleti
Veliaj kërkon largimin e gjyqtares Flora Hajredinaj
Flora Hajredinaj

Avokatët mbrojtës të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Flora Hajredinaj nga trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme që po shqyrton në themel çështjen penale ndaj tij, duke pretenduar se ekziston konflikt interesi që mund të cenojë paanshmërinë e gjykimit.

Sipas kërkesës së depozituar nga mbrojtja, motra e gjyqtares, Teuta Gjunkshi, është në një proces gjyqësor me Bashkinë e Tiranës, pasi është larguar nga puna. Sipas avokatëve, kjo çështje vijon të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit.

Në kërkesë përmendet gjithashtu se bashkëshorti i Teuta Gjunkshit, Xhemal Gjunkshi, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe funksionar i kësaj force politike, ka shprehur publikisht qëndrime kritike ndaj Erion Veliajt.

Mbrojtja argumenton se këto rrethana, të marra së bashku, krijojnë dyshime të arsyeshme mbi paanshmërinë e gjyqtares dhe, për këtë arsye, kërkon përjashtimin e saj nga trupi gjykues.

Kërkesa vjen në një moment kur procesi ndaj Veliajt ka hasur disa shtyrje radhazi. Edhe seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme nuk arriti të çelte shqyrtimin gjyqësor, pasi bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, e cila është gjithashtu e pandehur në këtë çështje, kërkoi pezullimin e procesit deri më 31 gusht për arsye shëndetësore pas lindjes së fëmijës.

Përmes avokatëve të saj, Xoxa argumentoi se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të komunikonte në mënyrë efektive me mbrojtësit ligjorë, duke e bërë të pamundur garantimin e një mbrojtjeje të plotë gjatë gjykimit.

Prokuroria e Posaçme kundërshtoi kërkesën, ndërsa prokurori Altin Dumani propozoi si alternativë veçimin e çështjes ndaj Xoxës. Pas shqyrtimit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Elsa Ulliri refuzoi pezullimin e procesit, por vendosi shtyrjen e seancës për më 21 korrik, duke pezulluar ndërkohë afatet e paraburgimit për Erion Veliajn.

Lini një Përgjigje