Presidenti i Federatës Marokene të Futbollit, Fuzi Lekja, ka folur sërish për vendimin e Lamin Jamal për të përfaqësuar Spanjën në arenën ndërkombëtare, në vend të Marokut. Në një intervistë për “Onze Mondial”, ai theksoi se Federata Marokene e ka respektuar gjithmonë zgjedhjen e talentit të Barcelonës dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë qëndrimin ndaj tij apo familjes së tij.
"Vendimin e Lamin Jamal e kemi respektuar dhe nuk e kemi vënë kurrë në diskutim. Nuk kemi ndryshuar asnjëherë sjelljen ndaj tij apo familjes së tij, e cila vazhdon të kalojë pushimet në Marok. Ata do të jenë gjithmonë të mirëpritur", deklaroi Lekja.
Megjithatë, kreu i futbollit maroken bëri edhe një koment me nota ironike, i cili pritet të ngjallë reagime.
"Lamin Jamel. Unë nuk njoh asnjë spanjoll që quhet Jamel", u shpreh ai, duke aluduar për origjinën marokene të yllit të kombëtares spanjolle.
Emri i plotë i futbollistit është Lamin Jamal Nasraui Ebana. Në fanellën e Barcelonës dhe të kombëtares së Spanjës ai përdor emrat "Lamin" dhe "Jamal", të cilët, sipas raportimeve, janë një homazh për dy personat që ndihmuan financiarisht familjen e tij para lindjes.
Pavarësisht batutës, Lekja nënvizoi se Federata Marokene nuk e sheh zgjedhjen e Jamalit si një humbje apo arsye për pakënaqësi.
"Për ne nuk ka qenë kurrë çështje frustrimi apo krenarie. Futbolli është universal dhe zgjedhja e një kombëtareje nuk e ndryshon lidhjen e një lojtari me vendin e tij të origjinës. Historia jonë na bën krenarë edhe kur një futbollist me origjinë marokene kontribuon në sukseset e një kombëtareje mike si Spanja", tha ai.
Pak para nisjes së Kupës së Botës, Lekja kishte bërë edhe një tjetër koment me humor, duke shprehur dëshirën për një përballje mes Marokut dhe Spanjës.
"Që të shohim nëse Jamal ka bërë zgjedhjen e duhur."
Një sfidë e tillë mund të zhvillohet në gjysmëfinalen e turneut, nëse Maroku eliminon Francën dhe Spanja kalon Belgjikën.
Lini një Përgjigje