Aktualitet 4 Dhjetor 2023, 20:06

Dy rastet që tronditën rajonin/ Kur etja për para tejkalon çdo kufi: të vrasësh gruan dhe vajzën!

Shkruar nga Pamfleti

Dy rastet që tronditën rajonin/ Kur etja për para tejkalon

Vrasja e Liridonës në Kosovë dhe rrëmbimi e vrasja e 14-vjeçares në Shkup, janë dy raste që dëshmojnë monstruozitetin e lakmisë për para...

Etja për të fituar para duket se ka kaluar çdo kufi. Burri është gati të sakrifikojë gruan dhe babi vajzën, vetëm e vetëm që të bëhen të pasur brenda ditës. Këto janë dy rastet që tronditen gjithë rajonin tonë në javën e fundit.

Në Kosovë, Niam Murseli pagoi që t’i ekzekutonin gruan në mënyrë që ai të përfitonte nga sigurimi jetësor. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, babai organizoi rrëmbimin e vajzës së tij, në mënyrë që të merrte para nga ish-bashkëshortja. Dy raste që tregojnë degradimin dhe çmendurinë drejt së cilës po shkon shoqëria.

Vrasja e Liridonës

Të mërkurën në mbrëmje Naim Murseli kishte marrë bashkëshorten e fëmijët dhe kishin shkuar për të darkuar në një restorant në Graçanicë. Për Liridonën, bashkëshorti i saj kishte përgatitur një skenar mizor për t’i marrë jetën atë natë.

Ky personazh, i njohur kryesisht nga rrjetet sociale, ku postonte fotografi me ata që konsiderohen si “elitë” dhe VIP, kishte arritur të siguronte edhe një post në Qeverinë e Kosovës, e cila i ishte besuar nga Behgjet Pacolli më 2017, asokohe Ministër i Jashtëm.

Naimi duket se kishte ideuar gjithçka. Ata jetonin në Suedi, por ai e kishte bindur bashkëshorten të ktheheshin në Kosovë dhe atë natë e kishte ftuar në darkë, teksa priste që pas darkës ajo të ekzekutohej.

Disa orë para vrasjes, Naim Murseli ishte takuar me Kushtrim Kokallën, djalin e dajës së tij, duke i thënë se “sot duhet të kryhet kjo punë”. Takimi kishte ndodhur në 9:30 në mëngjes, sipas dosjes së Prokurorisë.

Ky takim, sipas Prokurorisë, e pasonte një takim të rreth një jave para vrasjes, kur të dy kishin folur për “problemet bashkëshortore” dhe ku Kushtrim Kokalla i kishte thënë Naim Murselit “unë ta zgjidhi këtë punë”. Ata kontaktuan Granit Plavën dhe i premtuan 30 mijë euro.

Pasi dolën nga lokali, Naimit ju bë pritë dhe ai bashkë me fëmijët dolën nga makina, ndërsa gruaja e tij u qëllua për vdekje nga Granit Plava. E gjitha thuhet se u bë për para, pasi Liridona ishte e siguruar dhe në rast vdekje, familjarët saj përfitojnë 2 mln euro.

Vrasja e 14-vjeçares

Një rast, ndoshta dhe më i rëndë ndodhi në Maqedoninë e Veriut, pasi babai duket se çoi drejt vdekjes vajzën, pikërisht për para.

14 vjeçarja Vanja Gjorqevska në Shkup, doli për të ikur në shkollë por u rrëmbye nga dy persona. Ata e futën në bagazhin e një makine dhe u larguan. Vajza pasi është rrëmbyer është nxjerrë jashtë Shkupit ku është vrarë dhe trupi i pajetë u gjet disa ditë më pas, më 3 dhjetor. Sipas ekspertizës, ajo ka qenë e lidhur te duart dhe këmbët. Pranë saj u gjet dhe trupi i një të moshuari. Sipas prokurorit të rastit Gavril Bubevski, arsyeja e vrasjes së 74 vjeçarit Pançe Zhezhovskit është sepse grabitësve u duhej një makinë për të rrëmbyer 14-vjeçaren dhe për këtë arsyer rrëmbyen dhe vranë të moshuarin.

Por rasti bëhet më tronditës, pasi ka dyshime se skenari ka qenë i planifikuar nga babai i vajzës. Ai ishte divorcuar me gruan me të cilën solli në jetë vajzën dhe skenari ka qenë që ai t’i kërkonte asaj para. Gruaja kishte shitur një apartament dhe ai ka dashur të përfitojë. Plani ishte që vajza vetëm të mbahej peng, por situata ka dalë jashtë kontrollit, pasi zhdukja e saj u bë shumë e madhe dhe dyshohet se kjo solli ngjarjen e rëndë.

Personi që dyshohet se me pistoletë në ora 10:00 të datës 27 nëntor, kreu vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorqevska në Shkup, është Lupço Palevski i cili është në arrati. Sipas të gjitha gjasave ai ka vrarë edhe 74-vjecarin nga Velesi i cili u zhduk më 24 nëntor. Ai rezulton se ka ikur në Serbi.

Pra kemi dy krime monstruoze që tregojnë degradimin shoqëror. Një burrë që vret gruan e tij dhe nënën e dy fëmijëve. Por kemi dhe një baba monstër që arrin deri aty sa të inskenojë rrëmbimin e vajzës së tij. /Pamfleti

liridonavra shkup