Aktualitet 4 Dhjetor 2023, 18:00

Nga bandat te politika, si po ja hedhin pushtetarët dhe kriminelët përmes gjykimit të shkurtuar

Shkruar nga Pamfleti
Nga bandat te politika, si po ja hedhin pushtetarët dhe kriminelët
Gjykata e Posaçme

Thuajse të gjithë zyrtarët e arrestuar, por edhe personazhe të krimit, kanë përfituar ulje të 1/3 të dënimit sepse gjykata ka rënë dakord për një gjykim të shkurtuar.

Sistemi i drejtësisë ka nisur të lëvizë sa i takon aferave të zyrtarëve shtetërorë. Ndonëse “ujqërit e korrupsionit” janë ende të lirë, ka shumë të tjerë që përballen me drejtësinë. Po ashtu dhe personazhe të botës së krimit janë pas hekurave, përfshirë dhe vrasës me pagesë.

Por ajo që bie në sy është se po bëhet i përditshëm një fenomen, që i nxjerr ata nga qelia. E kemi fjalën për “gjykimin e shkurtuar”. Thuajse të gjithë zyrtarët e arrestuar, por edhe personazhe të krimit, kanë përfituar ulje të 1/3 të dënimit sepse gjykata ka rënë dakord për një gjykim të shkurtuar.

Gjykimi i shkurtuar, si gjykim i posaçëm, në thelb të tij ka pranimin e akteve të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak dhe eviton marrjen e provave në seancë gjyqësore dhe debatin lidhur me to. Mirëpo ky fenomen po bëhet shumë i zakonshëm dhe gjykatat kanë pranuar çdo kërkesë për gjykim të shkurtuar.

Sot është rasti më i fundit, pasi Safet Gjici dhe Alma Kaçi do të gjykohen me gjykim të shkurtuar. E njëjta skemë u ndoq edhe me inceneratorët. Lefter Koka, Alqi Bllako, bosët e inceneratorëve dhe të akuzuarit e tjerë përfituan ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar. Madje Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përfituan gjykim të shkurtuar në arrati. 

Listës i shtohet Lefter Alla, ish-kryebashkiaku i Bulqizës, i cili po ashtu ka ndjekur të njëjtën rrugë. Gjykata i dha gjykim të shkurtuar edhe ish-Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, e cila u kap duke bërë pazare me tenderët. Edhe Fatmir Mediu tentoi t’ia hedhë me të njëjtën mënyrë. Fillimisht gjykata ja pranoi gjykimin e shkurtuar, por kur e ndjeu se mund të dënohej, ish-ministri kërkoi gjykim të shkurtuar.

E njëjta skemë u ndoq edhe te dosja e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave. Gjykata pranoi kërkesën e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave Arlind Gjokutajt për ndarjen e çështjes për gjykim të zakonshëm, ndërsa dy të tjerët, përkatësisht përmbaruesi Alban Ruli dhe përfituesin e pronës Ilir Thana kërkuan gjykim të shkurtuar kërkesë e cila u pranua.

Nuk kanë mbetur pas as kontigjentë të krimit. Që nga i dënuari për kokainën Arbër Çekaj e deri te personazhe të tjerë të njohur, rasti më i fundit është i i dosjes “Shpirti”. GJKKO dha 150 vite burg për 15 anëtarët e grupit të përfshirë në skemën e trafikut ndërkombëtar të drogës, por thuajse të gjithë përfituan gjykim të shkurtuar. Rast tjetër kemi skemën e grabitjeve të pronave në Jug me në krye Elidon Gjikokën, ku sërish hyri në lojë gjykimi i shkurtuar.

Pra, thuajse është bërë e modës ku të gjithë të akuzuarit, në momentin që e kuptojnë se do të dënohen, kërkojnë gjykim të shkurtuar. Por me këtë skemë shumica ja hedhin paq. Pasi 1/3 e dënimit ju ulet, ndërkohë që një pjesë të burgut e kanë kaluar në paraburgim dhe kur jepet dënimi ata dalin të lirë. /Pamfleti

gjykim i shkurtuar gjkko spak