E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, ka zhvilluar një vizitë në Ministrinë e Brendshme, në një moment kur institucioni është përfshirë në procesin e intervistimit të kandidatëve për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Vizita e diplomates amerikane përkon me nisjen e fazës së intervistimeve për 14 kandidatët që konkurrojnë për drejtimin e Policisë së Shtetit. Ky proces vjen pas shkarkimit nga detyra të ish-drejtorit Ilir Proda.
Më herët gjatë ditës, në ambientet e Ministrisë së Brendshme ka qenë i pranishëm edhe ministri Besfort Lamallari, i cili ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama. Nuk janë bërë publike detaje mbi përmbajtjen e këtij takimi.
Procesi i intervistimit po zhvillohet sipas rendit alfabetik. Kandidati i parë që është paraqitur për intervistë ka qenë Afrim Tafa, aktualisht drejtor i Policisë së Durrësit.
Përzgjedhja e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit konsiderohet një proces i rëndësishëm për drejtimin e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në vend. Prania e përfaqësueses së SHBA-së në këtë moment ka tërhequr vëmendje, duke qenë se partnerët ndërkombëtarë shpesh ndjekin nga afër proceset kyçe në institucionet e sigurisë.
Lini një Përgjigje