
Gazetari Klodian Tomori ka nxjerrë sot një dokument, sipas të cilit kryebashkiaku i Shijakut figuron debitor te Drejtoria e Tatimeve. Ai ka pasur dikur një biznes, të cilin e ka mbyllur, por sipas gazetarit Tomori, ai nuk i ka shlyer detyrimet. Për këtë arsye ai figuron te lista e Tatimeve si debitor.
“Kryetari i Bashkise se Shijakut, Elton Arbana e ka emrin tek lista e borxhlinjve ndaj Tatimeve. Zoti Arbana rezulton të mos ketë paguar detyrimet nga biznesi i tregtimit të automjeteve që ka zotëruar nga viti 2007.
Kur te del emri tek lista e borxhit tatimor do të thotë që detyrimi është i natyrës përfundimtare dhe ka kaluar të gjitha hallkat e apelimit, përfshirë gjykatën. Sa është shuma e taksave që zoti Arbana nuk i ka shlyer shtetit? Kjo nuk dihet se Tatimet fshihen pas konfidencialitetit dhe nuk bëjnë transparencë edhe kur u drejtohesh me kërkese zyrtare. Por kjo ka pak rëndësi.
Kryetari i Bashkisë së Shijakut, që kryeministri e cilëson si një kryebashkiak model rezulton se model paska Cetto La Qualunquen qe thoshte: Taksat janë si droga. Po i pagove njëherë, pastaj të vjen dëshira ti paguash gjithmonë.
Biznesi i tij sot është me status të pezulluar. Tatimet kane lejuar kalimin me status të pezulluar pa mbledhur detyrimet edhe pse ligji i detyron te nisin procedurat e mbledhjes me force.
Ligji në Shqipëri thotë se po ke taksa te papaguara përjashtohesh nga tenderat, por mund të zgjidhesh kryetar bashkie. Pra te gjithë të barabarte para ligjit. Vetëm se barazia është relative.
Se desh harrova. Përpara, përpara, por paguani taksat të paktën”, shkruan Tomori.
Por kryebashkiaku Elton Arbana ka reaguar, duke deklaruar se e ka mbyllur biznesin që në vitin 2007. Sipas tij, lajmi është tërësisht i pavërtetë. Madje ai ka replikuar ashpër me gazetarin.
Postimi i kryebashkiakut
Sot gazetari Klodian Tomorri e nisi ditën duke drejtuar sytë nga Shijaku. Nga të gjithë ato punë të mira që janë bërë në Shijak, gjë për të cilën nuk besoj se ka folur ndonjëherë, u mendua se me çfarë lajmi të tërheqë vëmendjen. Bëri "të paditurin" duke nxjerrë një lajm të pavërtetë që lidhet me emrin tim.
Fillimisht "truri i ekonomisë shqiptare" siç i pëlqen të njihet z. Tomorri duhet ta dijë, por bën qëllimisht të paditurin, se një biznes nuk mund të mbyllet nëse ka borxhe.
Pavarësisht turbullirave që ju krijoni, për ca klikime më shumë, fatmirësisht më mbetet një mendje e kthjellët për t'i sqaruar. Kjo, jo sepse kam kohë me tepri për tu marrë me trazirat që krijoni, por sepse unë e kam detyrim qytetar të tregoj të vërtetën, aq më tepër ndaj kësaj shpifje.
Ju nuk keni as autocensurë as kritikë dhe mbi të gjitha ju nuk tregoni TË VËRTETËN.
A mund të përtypin e të gëlltisin njerëzit të pavërtetat tuaja që i shisni si lajme z.Tomorri?
Më poshtë keni faktet e sqaruara.
*Subjekti Me nr nipti K716….2 L ka filluar aktivitetin në vitin 2007 në fushën e veprimtarisë së tregtimit të makinave të përdorura, pjesë këmbimi, servis, import-export të mallrave të ndryshme.
Që prej fillimit të aktivitetit është punuar me seriozitet dhe rregullsi. Gjithashtu subjekti ,edhe pse ishte pre e sulmeve politike në 2013 nga ish drejtori i Tatimeve në atë vit, përseri ka kaluar me sukses kontrollet tatimore për gjithë periudhën e aktivitetit.
Nga ky kontroll është evidentuar që subjekti ka qene i rregullt në ushtrimin e aktivitetit të tib dhe për më tepër ka një gjendje KREDITORE pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Pas ketij kontrolli nuk eshtë ushtruar më aktivitet, për shkak se isha përgjegjës i IKMT, Qarku Durrës. Në kohën që subjekti është pezulluar ne QKB ka qenë pa asnjë detyrim.
Do të rihapet si aktivitet në momentin që unë nuk do të jem më kryebashkiak.
*Pas pezullimit që kam bërë në QKB, 13 muaj më pas, sistemi ka gjeneruar një gjobë preh 10 mijë lek te vjetra, të cilën e kam paguar. Bashkangjitur dhe faturën e pagesës së kryer.