TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Qershor 2025, 19:42

Hakerat sulmuan Bashkinë e Tiranës, reagon AKSK-ja: Ekspertët ndodhen në terren, janë marrë masat për garantimin e sigurisë

Shkruar nga Pamfleti

Hakerat sulmuan Bashkinë e Tiranës, reagon AKSK-ja: Ekspertët

Sulmi në fjalë është marrë përsipër nga rrjeti iranian i hakerave “Homeland Justice”, të cilët janë përgjegjës edhe për sulmin që iu bënë institucioneve shqiptare online në vitin 2022.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka reaguar lidhur me incidentin kibernetik që ka prekur disa nga infrastrukturat dhe sistemet e informacionit të Bashkisë Tiranë. Sulmi në fjalë është marrë përsipër nga rrjeti iranian i hakerave “Homeland Justice”, të cilët janë përgjegjës edhe për sulmin që iu bënë institucioneve shqiptare online në vitin 2022.

Ndërkohë që në vlerësimin paraprak të AKSK-së, thuhet se incidenti kibernetik ka shkaktuar ndërprerje në disa shërbime dixhitale të Bashkisë Tiranë, duke prekur aplikacione dhe sisteme që përdoren nga qytetarët dhe administrata.

"Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon opinionin publik se ditën e sotme është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur disa prej infrastrukturave dhe sistemeve të informacionit të Bashkisë Tiranë. Nga vlerësimi paraprak, incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga kjo bashki", thuhet në njoftimin e AKSK. 

Ndërsa natyra e saktë e sulmit nuk është bërë ende publike, burime nga AKSK-ja sugjerojnë se mund të jetë përfshirë një malware ose një sulm i koordinuar për të komprometuar sistemet. Sipas autoritetit, sulmi kibernetik u izolua dhe se po punohet për rikthimin në funksion të sistemeve. AKSK bënë me dije se është kufizuar përhapja në sistemet e tjera të ndërlidhura.

AKSK-ja njofton se menjëherë pas sinjalizimit për sulmin, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë veprimet në terren.

"Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për rastin, AKSK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në terren në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të

Bashkisë Tiranë për të:

• Kryer analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit;
• Izoluar dhe kufizuar përhapjen e ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura;
• Ndërmarrë masat e para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura;
• Hartuar rekomandimet e para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse", thuhet në njoftim. 

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka dënuar ashpër çdo akt që cënon infrastrukturën kritike të informacionit, duke e cilësuar sulmin si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Gjithashtu ka ftuar qytetarët dhe mediat të referohen vetëm në kanalet zyrtare të komunikimit për informacione të sakta dhe të konfirmuara.

"Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë. Në vijim do të ofrojmë përditësime të mëtejshme mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e ndërmarra, në përputhje me zhvillimet dhe informacionin e konfirmuar teknikisht. Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK", thuhet më tej. 

Rrjeti iranian i hakerave “Homeland Justice” pranoi se fshihet pas sulmit në një postim në aplikacionin “Telegram”, duke e lidhur me mbështetjen që qeveria shqiptare i jep muxhahedinëve, organizatës që lufton regjimin laiko-autoritar të Teheranit dhe që është strehuar prej vitit 2013 në selinë e saj në Manzë të Durrësit. Për shkak të këtij sulmi në faqen e Bashkisë së Tiranës u pezullua shërbimi i regjistrimit të fëmijëve në kopshte dhe çerdhe, një proces që duhej të përfundonte më 22 qershor.

Njoftimi i plotë i AKSK:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon opinionin publik se ditën e sotme është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur disa prej infrastrukturave dhe sistemeve të informacionit të Bashkisë Tiranë.

Nga vlerësimi paraprak, incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga kjo bashki.

Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për rastin, AKSK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në terren në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të

Bashkisë Tiranë për të:

• Kryer analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit;
• Izoluar dhe kufizuar përhapjen e ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura;
• Ndërmarrë masat e para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura;
• Hartuar rekomandimet e para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse.

Aktualisht, punonjësit e AKSK-së janë në terren dhe në koordinim të plotë me autoritetet vendore, Policinë e Shtetit, si edhe AKSHI-n për analizën e malware-t si edhe me institucionet përgjegjëse, për të siguruar një rikthim sa më të shpejtë dhe të sigurt të sistemeve në funksionalitet të plotë.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.

Në vijim do të ofrojmë përditësime të mëtejshme mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e ndërmarra, në përputhje me zhvillimet dhe informacionin e konfirmuar teknikisht. Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK.

Lini një Përgjigje