Aktualitet24 Maj 2024, 10:55

"I gjithë zinxhiri drejtues do të shkatërrohet nga përgjimet e SKY", Romeo Kara tregon skemën e SPAK

Shkruar nga Pamfleti
"I gjithë zinxhiri drejtues do të shkatërrohet nga
Romeo Kara

Avokat i njohur, Romeo Kara ka paralajmëruar se kupola e Policisë së Shtetit në “fije të perit”. Gjatë një interviste, ai tregon se si do të shkatërrohet i gjithë zinxhiri drejtues nga përgjimet e “SKY”. Po ashtu, Romeo Kara tregon skemën e SPAK dhe jep detajet e forta për çështjen e Tom Doshit që akuzoi Ilir Metën se ka paguar 500 mijë euro Durim Bamin që ta vrasë.

-Avokat, çfarë të bëri përshtypje nga megaoperacioni i SPAK, dosje shumë voluminoze mund ta bësh dhe libër për nga narracioni e intriga që ka, nga të gjithë elementët, komploti për vrasje e kështu me rradhë?

Për nga intriga, duhet të bëjnë një libër ku të flasim për apaterozën e krimit e llumit, ajo është fiks. Dhe tregon moralin e vërtetë se ku arritëm ne. Dolën në vitin 91’ me një ëndërr për të shkuar për një jetë më të mirë e përfunduam tek një llum që guxoi jo vetëm të bëhej i pasur por edhe kriminel, pa tentuar kurrë të bëhej i shkolluar. Ka marrë në dorë jetën dhe vdekjen këtu në Shqipëri në mënyrën më të pacipë që kanë drejtuar me presionin dhe me dhunën e tyre, organet e pushtetit lokal, policinë dhe politikën e madhe. Të flasim për pjesën e burgjeve pastaj. Mendoj se duhet të nxjerrim mësimet e duhura dhe të bëhen ndryshimet ligjore. Njëkohësisht të bëhet një reformë sa më e shpejtë e pastrimit në Polici.

-Zoti Kara, e besoni se ka një pjesë dekonspirimi te ekzekutimi?

Jo besoj, por jam 1000% i bindur që aty na çalon. Tani ka ardhur dita të merremi me këtë pjesë, me pjesën e policisë. Krahas proceseve që do hap vetë SPAK-u për këto persona që unë i quaj tradhtar në pjesën e policisë. Edhe vetë Policia duhet të ngrejë standardet e saja. Mundësisht e gjithë trupa policore të certifikohet tani. Unë shumë shpejtë tani shoh që do kemi një trupë krejtësisht të re, të paktën ndërtimin e saj. Mirë apo keq, tani ne kemi një panoramë të qartë se çfarë ka ndodhur, kush janë këto personat që po mbajnë peng Shqipërinë. Këto persona kanë sovranitet, se kanë patur sovranitet të dhënë te vota, ua ka deleguar politika. Këto janë marrë me votën. Për t’u marrë me votën, janë marrë me pastrimin e parave, janë marrë me të gjithë llojet e trafiqeve, e kur iu është dashur janë marrë me jetën dhe vdekjen bashkë. Të gjitha materialet kanë ardhur në mënyrën e duhur dhe nuk ka avokat që t’i mbrojë.

Kanë ardhur nëpërmjet EUROJUST dhe EUROPOL, dhe kjo pjesa e ardhjes së materialeve nga pjesa e policisë, janë shfrytëzuar të dyja kanalet, nuk është ceduar kjo pjesë. Mendoj që tani kanë filluar hallet e grupeve kriminale, ndërsa drejtësia dhe zbatimi i ligjit tani kanë filluar të ringrihem. Edhe pse ka dalë kjo dosje, akoma më mirë se tregon se me çfarë pune do të merret tani drejtësia shqiptare. Sa probleme kemi patur brenda nesh dhe sa skurpuloz duhet të jemi përballë atyre. Kjo gjë nuk duhet të na trishtojë, natyrisht nuk jemi shumë të lumtur që jeta jonë është menaxhuar nga një llum i tillë, por ne duhet të përballemi dhe të gjejmë të gjitha mënyrat që këtë gjë ta fitojmë sa më shpejtë dhe frika të kalojë në anën e kriminelëve. Mendohet që SPAK-u duhet të kishte sekuestruar tashmë, të gjitha pasuritë e tyre pasi janë me miliarda. Vetëm Lazarati ka patur 2.5-3.5 miliardë para në vit të ardhura. U prish ajo fole grerëzash dhe u hapën. Këto njerëz kanë përdorur paratë jo vetëm për qefet e tyre ku kanë kaluar çdo fantazi e nga karrocier janë bërë në biznesmenë e nga mbledhës kanaçe janë bërë kryetar të sindikatave të krimit.

Këto miliarda duhen sekuestruar se janë një armë kundra sovranitetit të vendit dhe rendit juridik në Shqipëri. Këto duhen bërë sa më shpejtë. Pas goditjes së tyre, do të vij radha, pra është goditur në mënyrë të studiuar politika e lartë. Dhe kur nis dosja në çdo fashikull, në 18 rubrika lakohet emri i Arben Ndokës. Do kemi dhe të tjera, në çështje të tjera. Unë kam në mënyrë të bindur perceptimin që çështja ‘Doshi’ ka qenë mjaft serioze, edhe të rojeve të RENEA-s që kanë ruajtur atë gjatë asaj kohë, nuk kanë qenë pa gjë. Tjetër punë çfarë u luajt një teatër absurd për ta nxjerr si kallëzim i rremë. Jo nuk ka qenë pa gjë. Duhet të kthehemi prapa në kohë se mburren ata që nuk kanë dhënë firmën këtu e atje, në të gjitha privatizimet që janë bërë e si janë bërë. Kemi dhe pronarë mediash të cilët janë pjesë e privatizimeve dhe mburren që nuk kanë marrë tendera. Nuk kanë marrë tendera po keni marrë objekte falas. Pasurinë e këtij populli e kanë futur në xhepa, kanë ardhur si kapterra ushtria e janë bërë oligarkë. Këto nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm se e kanë barazuar qeverisjen në grabitje, vjedhje por deri në vrasje.

-Sa i takon Dumanit, imazhin që jep SPAK, e ke parë të vendosur të ecë përpara me dosjet?

Dumani është skurpuloz, ka vendosur të bëj karrierë vetëm duke zbatuar ligjin në punën e tij, tregon që ai ka dhënë një shtysë dhe një qasje tjetër. Kemi dhe në një qasje tjetër karshi kësaj strukture për një vit. Mendoj që ai duhet të ketë dhe përtej dy viteve të tjera që i mbaron mandati, nëse ka këtë qasje dhe ruan këtë rezistencë dhe nuk lodhet. Nuk ka nevojë të frikësohet, është një person i cili është i mirëpritur në raport me ligjin dhe pjesën e shqiptarëve. Të mos mërzitet se kriminelët dhe përfaqësuesit e tij, me dhe pa pushtet mundohen ta pengojnë, këto janë sfida që ai i di, t’i tejkalojë dhe të përballet. Madje të përcjell dhe mesazhet që ka nevojë vetë si strukturë për popullin./ SOT