Autoritetet greke i caktuan masën e sigurisë “arrest me burg” Ilir Shtufit, biznesmenit të shpallur në kërkim nga SPAK.
Mediat greke raportojnë se 53-vjeçari i arrestuar në Selanik do të qëndrojë në paraburgim derisa autoritetet shqiptare të paraqesin dokumentacionin për esktradimin e tij në Shqipëri. Sipas mediave greke ai kërkohet nga autoritetet shqiptare për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe pastrim parash, të cilat dyshohet se e kanë origjinën, ndër të tjera, nga rastet e trafikut të drogës.
Këshilli Gjyqësor kompetent pritet të vendosë në lidhje me kërkesën për ekstradimin e tij në Shqipëri në të ardhmen e afërt, njoftohet nga mediat greke.
53-vjeçari u shoqërua në Prokurorinë e Apelit të Selanikut mëngjesin e sotëm për ekzekutimin e Njoftimit të Kuq Ndërkombëtar të Kërkimit që është në fuqi ndaj tij nga autoritetet shqiptare, të cilat kërkojnë arrestimin dhe ekstradimin e tij për veprat penale të mësipërme që dyshohet se i ka kryer në Tiranë.
Para prokurorit të gatshëm, 53-vjeçari deklaroi se nuk jep pëlqimin për ekstradimin e tij, ndërsa raportohet se i mohoi akuzat, duke pretenduar se ishte “i përfshirë” në çështje pa pasur asnjë pjesëmarrje.
Ai u arrestua më parë nga oficerët e policisë së Nëndrejtorit të Krimit të Organizuar të Greqisë Veriore, pas informacionit të transmetuar përmes kanaleve ndërkombëtare të bashkëpunimit policor dhe INTERPOL-it, siç njoftoi Policia greke.
Sipas medias greke, 53-vjeçari dyshohet se ka hyrë në Greqi në orët e para të së premtes së kaluar nga një stacion kufitar në Greqinë Veriore, ndërsa u gjet po atë ditë në një hotel në Selanik.
Lini një Përgjigje