TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Tetor 2025, 19:21

Inspektori i Lartë i Drejtësisë dënon vrasjen e gjyqtarit: Siguria e magjistratëve të jetë prioritet absolut

Shkruar nga Pamfleti

Inspektori i Lartë i Drejtësisë dënon vrasjen e gjyqtarit:

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen si një tronditje të thellë për sistemin e drejtësisë dhe shtetin ligjor.

Metani ka shprehur ngushëllimet më të ndjera për familjen, kolegët dhe miqtë e gjyqtarit të ndjerë, ndërsa uroi shërim të shpejtë për dy qytetarët që mbetën të plagosur nga të shtënat me armë.

“Tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati, prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik”, thuhet në reagimin zyrtar.

Kreu i ILD-së e cilësoi sigurinë e gjyqtarëve si prioritet absolut, duke kërkuar angazhim të menjëhershëm nga të gjitha institucionet shtetërore për garantimin e paprekshmërisë së çdo përfaqësuesi të drejtësisë që ushtron detyrën në emër të ligjit.

“Duhet të angazhohemi pa humbur kohë për të garantuar paprekshmërinë e çdo gjyqtari e prokurori. Siguria duhet të jetë prioritet absolut për të gjithë”, nënvizoi Metani.

Në fund, ai shprehu solidaritet me trupën gjyqësore dhe i inkurajoi gjyqtarët e prokurorët të vijojnë me vendosmëri ushtrimin e detyrës, “përtej kësaj ngjarjeje të rëndë”, duke zbatuar ligjin dhe mbrojtur dinjitetin e sistemit të drejtësisë.

 

Lini një Përgjigje