
Sipas italianëve do të duhen 4 vite për të ndërtuar infrastrukturën e ujësjellësit dhe kostoja e tij do të kapte vlerën e 1 miliardë eurove...
Qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile projektit për ndërtimin e ujësjellësit që do të lidhë Gjirokastrën me Galugnano, në Salento.
Sipas Corriere.it, e cila i referohet një deklarate të presidentit të rajonit të Pulias, Michele Emiliano, ideja e vjetër italiane për të ndërtuar një ujësjellës që do të lidhte burimet ujore në Jugun e Shqipërisë me rajonin e Pulias, do të marrë jetë së shpejti.
“Qeveria shqiptare na ka autorizuar të fillojmë projektimin e ujësjellësit që do të lidhë Shqipërinë me Italinë. Shqipëria hedh një sasi të madhe uji të mirë në det dhe padyshim ka interes të paguhet për ujin. Ne kemi interes ta marrim sepse për ne uji do të thotë t'i japim një model të ri bujqësisë, të bëjmë turizmin të rritet dhe t'u japim një të ardhme të gjithë pulianëve”, deklaroi presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano.
Por sa mund të zgjasin punimet dhe sa është kostoja totale e projektit?
Sipas italianëve do të duhen 4 vite për të ndërtuar infrastrukturën e ujësjellësit dhe kostoja e tij do të kapte vlerën e 1 miliardë eurove. Paratë do të mund të financohen nga burimet e BEI, BERZH, shteti italian, dhe ujësjellësit në rajonin pulian.
Qëllimi kryesor është transportimi i 150 milionë metër kub ujë në vit në Pulia.
Për Pulian është një infrastrukturë strategjike, duke pasur parasysh thatësirën që ka karakterizuar vitet e fundit. Por Shqipëria do të kishte edhe një kthim ekonomik, duke qenë se do të hapeshin rreth 8000 vende të reja pune në mënyrë direkte dhe indirekte.
Propozimi u lançua në vitin 2022 nga presidenti i Confindustria Puglia dhe Bari-Bat, Sergio Fontana.
“Në Pulia, ne kemi aftësitë për të qenë një pikë referimi kombëtare për politikën e ujit. Kemi Ujësjellësin Pulian, më të madhin në Evropë, stacionin e parë kontraktues në Pulia. Të bashkuar buzë detit Adriatik kemi përballë Shqipërinë, një vend shumë i pasur me ujë. Ne kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme të ngushta me Shqipërinë. Kemi një mundësi të madhe për të adresuar krizën e ujit, dhe për ta parandaluar në një farë mënyre. Ne mund t'i japim jetë një projekti të madh dhe ambicioz: të ndërtojmë një infrastrukturë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik midis Pulias dhe Shqipërisë”, tha Fontana, gjatë asamblesë së Confindustria Bari-Bat.
Ideja që dikur iu propozua ish-kryeministrit Fatos Nano për të çuar ujin me tubacion nga burimi i “Syrit të Kaltër” në Delvinë drejt Jugut të Italisë, tashmë ka marrë formën e një projekti dhe pritet që të vihet në zbatim së shpejti. /Pamfleti