
Pas disa orësh protestë para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar mobilizimin që prej ditësh ka mbledhur mijëra pjesëmarrës në Tiranë.
Aktualisht, turma po lëviz në aksin që lidh qendrën e kryeqytetit me zonën e qendrës tregtare Toptani, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa atmosfera mbetet e ndezur nga thirrjet e protestuesve.
Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, qytetarët po ecin në mënyrë paqësore duke brohoritur vazhdimisht “Ju erdhi fundi!”, një slogan që po dominojnë marshimin dhe që shihet si një mesazh i drejtpërdrejtë për klasën politike.
Nuk mungojnë as thirrjet "Revolucion", “Rama ik”, “Dorëheqje”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe slogane të tjera që janë bërë simbol i protestave të ditëve të fundit.
Për shumë prej pjesëmarrësve, marshimi nuk është thjesht vazhdim i protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, por një demonstrim se pakënaqësia qytetare po shkon përtej një force politike apo një lideri të vetëm. Mesazhi që po përcillet nga turma është se qytetarët kërkojnë ndryshim dhe fundin e një modeli politik që, sipas tyre, ka dominuar vendin për dekada.
Ndërsa protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, thirrja “Ju erdhi fundi!” dëgjohet gjithnjë e më shpesh, duke u kthyer në një nga sloganet më të forta të mbrëmjes.
Lini një Përgjigje