Teksa po forcon përditë bashkëpunimin me Izraelin dhe një ditë më parë pati një takim misterioz me përfaqësues të Kurdistanit, Rama niset sot drejt Ankarasë, ku do të takohet me Erdognain në kuadër të Samitit të NATO.
Në diplomaci, ekuilibrat janë po aq të rëndësishëm sa edhe aleancat. Por në rastin e Edi Ramës, ditët e fundit kanë krijuar përshtypjen e një lideri që po përpiqet të luajë me disa porta njëkohësisht.
Nga njëra anë, kryeministri shqiptar ka zgjedhur të thellojë marrëdhëniet me Izraelin. Vizita në Tel Aviv, takimi me Benjamin Netanyahun dhe njoftimet për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, përfshirë projektin për ngritjen e një Shkolle të Forcave Speciale me ekspertizë izraelite, kanë sjellë reagime të forta në mediat pranë qeverisë turke.
Vetëm një ditë para nisjes për në Ankara, Rama priti në Kryeministri një delegacion të nivelit të lartë nga Rajoni Autonom i Kurdistanit në Irak, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Qubad Talabani. Zyrtarisht, takimi u paraqit si një hap drejt bashkëpunimit në teknologji, turizëm dhe investime. Megjithatë, koha kur u zhvillua vizita nuk kalon pa u vënë re, pasi çështja kurde mbetet një nga temat më të ndjeshme për Ankaranë.
Ndërkohë, sot dhe nesër Rama ndodhet në Ankara për Samitin e NATO-s. Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrisë, ai do të marrë pjesë në punimet e samitit, do të zhvillojë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ndërsa nesër në axhendë është edhe një takim dypalësh me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.
Por pikërisht ky takim pritet të jetë momenti më i rëndësishëm politik i vizitës.
Prej javësh, mediat pranë qeverisë turke kanë ndryshuar ndjeshëm tonin ndaj kryeministrit shqiptar. Gazeta si Hürriyet dhe Daily Sabah kanë publikuar artikuj kritikë, duke e lidhur afrimin e Tiranës me Izraelin me zhvillimet politike në Shqipëri dhe duke ngritur pikëpyetje mbi drejtimin që po merr politika e jashtme shqiptare. Në disa prej tyre janë kritikuar hapur edhe projektet e bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Në këtë sfond, vizita në Ankara shihet edhe si një përpjekje për të ruajtur ekuilibrin me një nga partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë në rajon. Marrëdhënia personale mes Ramës dhe Erdoğanit ka qenë për vite me radhë një nga shtyllat e bashkëpunimit mes dy vendeve, por zhvillimet e fundit kanë krijuar një klimë më të ftohtë se ajo që është parë në të kaluarën.
Në politikën ndërkombëtare, sinjalet shpesh kanë më shumë peshë sesa deklaratat zyrtare. Dhe sinjalet e ditëve të fundit kanë qenë të shumta: një Shqipëri që afrohet gjithnjë e më shumë me Izraelin, një takim me drejtuesit e Rajonit të Kurdistanit në prag të udhëtimit për në Turqi dhe, menjëherë më pas, një përballje diplomatike me Erdoğan në Ankara.
Zyrtarisht, Samiti i NATO-s do të fokusohet te siguria euroatlantike dhe sfidat e Aleancës. Por për Edi Ramën, vëmendja pritet të jetë te ajo që do të ndodhë pas dyerve të mbyllura të takimit me Presidentin turk. Sepse aty do të shihet nëse kryeministri shqiptar do të arrijë të ruajë ekuilibrin mes aleatëve të tij, apo nëse loja me disa porta po bëhet gjithnjë e më e vështirë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje