TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Korrik 2026, 16:00

SHBA gati të heqë kufizimet ndaj Turqisë, Erdogan: Trump më premtoi pesë avionë F-35

Shkruar nga Pamfleti
SHBA gati të heqë kufizimet ndaj Turqisë, Erdogan: Trump më
Erdogan-Trump

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump i ka premtuar pesë avionë luftarakë F-35, përpara takimit dypalësh mes dy liderëve në kuadër të Samitit të NATO-s në Ankara.

"Presidenti amerikan më premtoi pesë avionë luftarakë F-35", tha Erdogan në deklaratat për mediat.

I pyetur për këtë çështje, Trump u përgjigj se mundësia do të shqyrtohet.

"Pse të mos e bëjmë? Turqia ka dëshmuar në shumë drejtime se është një aleate shumë më besnike se disa vende të tjera. Është diçka që do ta shqyrtojmë", deklaroi presidenti amerikan.

Trump njoftoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të heqin sanksionet CAATSA ndaj Turqisë.

"Do t'i heqim sanksionet. Ka ardhur koha. Nuk duam të vendosim sanksione ndaj miqve tanë dhe nuk dua ta mbyt mikun tim me sanksione", tha ai.

Takimi mes Trump dhe Erdogan zhvillohet në kuadër të Samitit të NATO-s, i cili po mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara. Dy liderët u pritën me ceremoni zyrtare në Pallatin Presidencial "Beştepe", ku u ekzekutuan himnet kombëtare të të dy vendeve dhe u zhvilluan nderimet ushtarake.

Trump mbërriti në Ankara të martën pasdite dhe u prit nga presidenti Erdogan në aeroport. Gjatë ceremonisë, presidenti amerikan përshëndeti Gardën e Nderit në gjuhën turke me fjalët "Merhaba asker" ("Përshëndetje, ushtar").

Vizita shënon udhëtimin e parë të një presidenti amerikan në Ankara pas 17 vitesh.

Në delegacionin amerikan marrin pjesë edhe sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth.

Samiti i këtij viti zhvillohet në një klimë të tensionuar gjeopolitike. Në qendër të diskutimeve janë forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Aleancës, rritja e shpenzimeve ushtarake të vendeve anëtare, mbështetja për Ukrainën dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

trump erdogan

Lini një Përgjigje