TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Gusht 2025, 17:57

Investigoi mbi shkuarën e tij të errët, Lul Morina kërcënon gazetarin Almer Toska

Shkruar nga Pamfleti

Investigoi mbi shkuarën e tij të errët, Lul Morina

Gazetari Almer Toska ka bërë publikisht me dije se është kërcënuar pas publikimit të një investigimi mbi aktivitetet e biznesmenit Lul Morina, i njohur për të kaluarën e tij të dyshuar në trafikun e drogës dhe trafikun e femrave në vitet ’90.

Në statusin e tij, Toska shkruan se Morina i ka dërguar mesazhe fyese dhe kërcënuese ndaj familjes, duke tentuar ta frikësojë. “Ky veprim tregon qartë se ai nuk ka asnjë argument kundër fakteve, por përpiqet të heshtë të vërtetën me kërcënime”, shprehet gazetari.

Toska thekson se kërcënimet nuk do ta ndalin në punën e tij dhe i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut të mos heshtin përballë një individi me të kaluar kriminale. “Heshtja është bashkëpunim; vonesa në veprim është mbrojtje”, shkruan ai, duke kërkuar reagim të menjëhershëm të institucioneve.

Rasti i Morinës, i kthyer nga trafikant në “biznesmen të suksesshëm”, sipas Toskës është prova më e qartë e mënyrës se si krimi i organizuar kërkon të intimidojë këdo që publikon të vërtetën.

Statusi i plotë i gazetarit Almer Toska në FB:

Pas publikimit të shkrimit investigativ mbi biznesmenin Lul Morina, ku u faktua e kaluara e tij kriminale si trafikant femrash dhe droge, lidhjet e tij me pushtetin e sotëm dhe përfitimi i lejeve të ndërtimit falë mbështetjes politike nga Belinda Balluku, unë jam kërcënuar hapur. Morina më ka dërguar mesazhe fyese ndaj familjes sime dhe ka përdorur gjuhën e shantazhit për të më frikësuar.

Ky veprim tregon qartë se Morina nuk ka asnjë argument kundër fakteve të publikuara, por përpiqet të heshtë të vërtetën me kërcënime. Ai vepron siç ka bërë gjithmonë, me dhunë dhe arrogancë, duke besuar se lidhjet e tij me pushtetin e mbrojnë nga ligji. Por kjo nuk është më një çështje personale mes meje dhe tij, është një çështje publike që prek të gjithë shoqërinë shqiptare.

Policia e Shtetit dhe SPAK nuk mund të heshtin. Nëse kërcënimet e hapura nga një person me të kaluar kriminale nuk mjaftojnë për të nxitur veprimet e organeve ligjzbatuese, atëherë ky vend është peng i mafies së pushtetit dhe trafikantëve që janë shndërruar në oligarkë të rinj. Heshtja e policisë do të thotë bashkëpunim, vonesa në veprim do të thotë mbrojtje, mungesa e hetimit do të thotë kapje e shtetit.

Lul Morina është shembulli i qartë i asaj se si krimi i organizuar është integruar në politikë dhe ekonomi. Nga trafikant në vitet ‘90, ai është kthyer sot në “biznesmen të suksesshëm”, duke blerë vota për pushtetin dhe duke marrë leje ndërtimi në këmbim të shërbimeve të tij. Dhe sot, ai guxon të kërcënojë hapur gazetarë dhe qytetarë vetëm pse publikojnë të vërtetën.

Unë e them qartë: kërcënimet nuk më trembin dhe nuk do të më ndalin. Përkundrazi, ato janë provë e gjallë se shkrimi im ka goditur në zemër të së vërtetës. Ky është momenti kur Policia, Prokuroria dhe SPAK duhet të tregojnë se a janë në shërbim të qytetarëve apo në shërbim të trafikantëve të lidhur me pushtetin.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë vendi ku trafikantët bëhen ndërtues, ku blerësit e votave bëhen partnerë të qeverisë, dhe ku kërcënuesit trajtohen si të paprekshëm. Lul Morina duhet të hetohet, të ndëshkohet dhe të ndalet përpara se kërcënimi i tij të bëhet realitet për këdo tjetër që guxon të thotë të vërtetën.

Ligji nuk mund të jetë armë në duart e pushtetarëve, ligji duhet të jetë mbrojtja e qytetarëve. Dhe nëse Policia dhe SPAK heshtin sot, nesër askush nuk do të ketë më besim tek shteti.

Investigoi mbi shkuarën e tij të errët, Lul Morina

Lini një Përgjigje