Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër për situatën e krijuar në Aeroportin e Vlorës, duke deklaruar se kompania e tij MABCO po përballet me një cenim të rëndë të sigurisë juridike dhe të drejtave të investitorëve. Pacolli akuzon institucione shtetërore dhe segmente të drejtësisë se po lejojnë bllokimin e një investimi strategjik pa bazë ligjore.
Përplasja për Aeroportin e Vlorës ka hyrë në një fazë të re, pasi biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar publikisht pas ultimatumit 30-ditor që Ministria e Infrastrukturës u drejtoi ortakëve të koncesionit për të zgjidhur konfliktin mes tyre dhe për të përfunduar punimet.
Ndryshe nga versioni zyrtar që flet për një mosmarrëveshje mes ortakëve të kompanisë koncesionare, Pacolli pretendon se çështja ka marrë përmasa shumë më të rënda dhe lidhet me sigurinë juridike të investimeve në Shqipëri.
Sipas tij, prej gati një muaji asetet e aeroportit po mbahen të bllokuara pa asnjë vendim gjyqësor.
“Prej gati një muaji, ndërtesat, terminali dhe asetet ku janë investuar mbi 100 milionë euro, së bashku me kolateralet financiare me vlerë mbi 210 milionë euro, mbahen të bllokuara në mënyrë të papranueshme nga grupe të caktuara, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, pa asnjë vendim gjyqësor. Kjo nuk është thjesht një çështje procedurale. Kjo është një goditje e rëndë ndaj pronës private, investimit, sigurisë juridike dhe vetë shtetit të së drejtës”, deklaron Pacolli.
Biznesmeni hedh akuza të drejtpërdrejta edhe ndaj sistemit të drejtësisë, duke përmendur me emër një gjyqtare të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.
“Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë situatë është fakti se këto veprime tentohen të mbulohen edhe përmes vendimeve gjyqësore të dyshimta, si në rastin e gjyqtares së Shkallës së Parë të Tiranës, znj. Miranda Nakaj, e cila ka nxjerrë vendime që bien hapur ndesh me ligjin dhe me vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë”, shprehet ai.
Pacolli kujton se çështjet në fjalë janë shqyrtuar më herët nga Gjykata e Lartë, e cila sipas tij i ka dhënë të drejtë kompanisë MABCO, por pavarësisht kësaj vendimet po injorohen.
“Sot po veprohet sikur ligji nuk ekziston, sikur vendimet e Gjykatës së Lartë nuk kanë asnjë vlerë dhe sikur prona private mund të merret peng nga kushdo që ka forcë, lidhje apo mbështetje institucionale”, deklaron ai.
Në reagimin e tij, Pacolli ngre një sërë pyetjesh për funksionimin e shtetit ligjor dhe garancitë që u ofrohen investitorëve në Shqipëri.
“Çfarë vlere ka ligji kur nuk zbatohet? Çfarë vlere ka Gjykata e Lartë kur vendimet e saj sfidohen? Çfarë garancie ka një investitor kur mbi qindra miliona euro mund të bllokohen pa një vendim përfundimtar gjyqësor?”, pyet ai.
Sipas Pacollit, situata nuk prek vetëm Aeroportin e Vlorës, por përbën një sinjal alarmi për klimën e investimeve në vend.
“Kjo nuk është Shqipëria demokratike që pretendojmë të ndërtojmë. Kjo është një alarm i madh për drejtësinë, për ekonominë dhe për çdo qytetar që beson ende se ligji duhet të qëndrojë mbi forcën. Ne nuk do të heshtim. Nuk do të tërhiqemi. Dhe nuk do të lejojmë që Aeroporti i Vlorës të mbahet peng nga paligjshmëria”, përfundon reagimin e tij.
Deklarata e Pacollit vjen në një moment kur qeveria shqiptare ka shtuar presionin ndaj palëve për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, ndërsa konflikti rreth një prej investimeve më të mëdha infrastrukturore në vend po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një debat mbi sigurinë juridike, funksionimin e drejtësisë dhe garancitë që shteti shqiptar u ofron investitorëve të huaj.
O pacoll.. kush ja ka pa hajrin shqipnis..keshtu ka thene nje nene nga gorozhupi. Kur djali i saj do te investonte ne 1991. Ne shipni. Gjithmone shipnia ja ka ngul thiken mas shpine.. kosoves.