Aktualitet14 Korrik 2023, 15:13

Kuvendi dorëzon në SPAK vendimin për Ahmetajn, prokuroria në test para gjykatës

Shkruar nga Pamfleti

Kuvendi dorëzon në SPAK vendimin për Ahmetajn, prokuroria në

Kuvendi ka dorëzuar në SPAK vendimin për t’i hequr imunitetin Arben Ahmetajt. Paradite u mbajt një seancë e posaçme dhe me 117 vota pro u aprovua kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetajt.

Mësohet se pak minuta më parë, vendimi i zbardhur i Kuvendit i ka shkuar prokurorisë, e cila tani ka të gjithë tagrin të kërkojë arrestimin e Ahmetajt.

Duke qenë se ish-ministri nuk është në vend për ta arrestuar në moment, SPAK duhet që së pari t’i drejtohet Gjykatës së Posaçme, e cila duhet të vendosë nëse do pranojë apo jo kërkesën për arrestimin e Ahmetajt. Nëse gjykata e aprovon, atëherë SPAK duhet të vërë në dijeni policinë për arrestimin e ish-ministrit.

Sipas ligjit, policia duhet të shkojë në banesën e ish-ministrit dhe të kërkojë arrestimin e tij. Nëse ai nuk është në banesë, atëherë duhet të lëshohet fillimisht një urdhër ndalimi kombëtar. Pra të gjitha forcat e rendit në vend duhet të njoftohen se Ahmetaj është person në kërkim dhe duhet arrestuar. Pasi të sigurohet policia se ish-ministri nuk ndodhet në vend, atëherë duhet të nxirret një urdhër ndërkombëtar dhe të vihet në dijeni Interpol.

Vetë Ahmetaj  ka deklaruar se është jashtë vendit dhe nuk ka ndërmend të dorëzohet nëse nuk zbardhet si duhet e vërteta. Avokati i tij tha se ish-ministri ndodhet në Angli. Ndërkohë në mëngjes Ahmetaj lëshoi një mesazh të fortë. Ai u shpreh hapur se arrestimi tij është i porositur duke thënë se nuk ka shkelur asnjë ligj. /Pamfleti

 

spak ahmetaj