Punonjësit i kërkojnë ndërhyrje urgjente Kryeministrit për një situatë të rëndë brenda kompanisë ajrore: shkelje ligjore, largime të padrejta, presion psikologjik dhe kushte që rrezikojnë jetën e pasagjerëve

Disa punonjës të kompanisë ajrore Air Albania i janë drejtuar me një deklaratë publike institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Ekonomisë Petrit Malaj dhe Drejtorinë e Aviacionit Civil, duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen e brendshme në kompani, shkeljet sistematike të të drejtave të punonjësve dhe rrezikun që, sipas tyre, i kanoset sigurisë së pasagjerëve dhe stafit fluturues.
Deklarata, që është bërë publike edhe për median, flet për një situatë të përkeqësuar pas emërimit të CEO-së së ri turk në krye të kompanisë; një figurë që, sipas punonjësve, ka ndikuar negativisht në menaxhimin e brendshëm, marrëdhëniet e punës dhe standardet operacionale.
Në dokumentin e nënshkruar nga grupi i punonjësve, theksohet se prej më shumë se 11 muajsh nuk janë paguar sigurimet shoqërore, megjithëse kontributet vazhdojnë të mbahen nga pagat. Përveç kësaj, shumë prej tyre deklarojnë se nuk kanë marrë as pagat mujore për 2 deri në 3 muaj radhazi, duke u përballur me vështirësi ekonomike dhe pasiguri totale në vendin e punës. Siç thuhet në tekst, janë shtuar në mënyrë të ndjeshme largimet e padrejta nga puna, shpesh pa paralajmërim apo argument ligjor, si dhe janë përdorur forma të presionit psikologjik me qëllim që punonjësit të japin dorëheqjen vetë dhe të heqin dorë nga të drejtat e tyre.
Më alarmante akoma është pjesa ku punonjësit ngrenë alarmin për cenimin e sigurisë së fluturimeve. Ata shkruajnë se për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar, lodhjes ekstreme të personelit ekzistues dhe mungesës së respektimit të protokolleve të sigurisë, janë krijuar kushte që mund të çojnë në pasoja të rënda për jetën e pasagjerëve dhe punonjësve.
Në deklaratë përmendet një listë e gjatë emrash dhe inicialesh të punonjësve që janë larguar ose janë detyruar të japin dorëheqjen si pasojë e kësaj situate. Bëhet fjalë për drejtues teknikë, pilotë dhe pjesëtarë të ekuipazhit të kabinës, të cilët sipas burimit nuk janë paguar dhe nuk kanë marrë trajtimin e merituar ligjor. Disa prej tyre tashmë kanë nisur procese gjyqësore që mund të zgjasin me vite, ndërkohë që mbeten të papunë dhe të pambrojtur.
Aktualisht, edhe punonjësit që janë ende aktivë në kompani raportojnë se përballen me të njëjtat probleme, mospagim të pagave, presion nga drejtuesit dhe një klimë frikësimi të vazhdueshëm.
Deklarata mbyllet me një thirrje drejtuar institucioneve shqiptare, por edhe aksionarit Turkish Airlines, për të ndërhyrë pa vonesë. Kërkohet një hetim i plotë për shkeljet, pagesa e menjëhershme e detyrimeve financiare, mbrojtje ligjore për punonjësit dhe rikthimi në punë i atyre që janë pushuar në mënyrë të padrejtë. Mbi të gjitha, kërkohet garantimi i sigurisë së fluturimeve dhe kushteve njerëzore për të gjithë stafin ajror dhe tokësor.
Por në këtë krizë, nuk mund të mbetet jashtë vëmendjes aksioneri shqiptar i kompanisë, Sinan Idrizi, një personazh i lidhur ngushtë me qeverinë, i cili ka shërbyer më shumë si sekser dhe mburojë politike për këtë projekt të dështuar financiarisht. Për vite me radhë, Idrizi ka vepruar si garantuesi i një kompanie pa bilance, pa transparencë dhe me borxhe të shumta të pazbardhura.
Air Albania nuk është më një linjë kombëtare, por një mjet i luksit personal dhe klientelizmit politik, ku Sinan Idrizi mban rolin e administratorit informal të interesave të Kryeministrit. Ndërsa punonjësit vuajnë rrogat e pamarra, ky aksioner ‘strategjik’ shfaqet nga SHBA për të sharë pyetjet e drejtëpërdrejta në vend që të japë llogari për borxhin që kompania i ka publikut shqiptar.
Pamfleti, në funksion të misionit të tij si media investigative, fton çdo punonjës aktual apo ish-punonjës të kompanive ajrore që operojnë në Shqipëri, përfshirë pilotë, ekuipazh, teknikë, administratë apo sektorë mbështetës, të denoncojnë çdo rast të shkeljes së të drejtave në punë, abuzimeve financiare, cenimit të sigurisë apo keqmenaxhimit që ndikon direkt në funksionimin normal të aviacionit civil.
Çdo denoncim trajtohet me konfidencialitet të plotë, me garanci për ruajtjen e identitetit dhe me përkushtim për verifikim dhe publikim të fakteve që kanë interes publik.
Kontakti zyrtar i redaksisë është: [email protected]

Lini një Përgjigje