TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Janar 2026, 19:45

Makthi që nuk mbaron kurrë: Aksi Librazhd-Elbasan në kaos, edhe sot makinat me orë të tëra në trafik

Shkruar nga Pamfleti
Makthi që nuk mbaron kurrë: Aksi Librazhd-Elbasan në kaos, edhe
Pamje nga trafiku

Ajo që ndodhi para Vitit të Ri në dalje të Tiranës, po përsëritet pas festave në kthim; vetëm se këtë herë, makthi është bërë më i rëndë. Autostrada Tiranë–Elbasan, një ndër arteriet kryesore për qarkullimin lindje–perëndim në Shqipëri, po shndërrohet çdo ditë në një provë stresi për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët.

Sot, qindra qytetarë që janë nisur nga qytetet si Pogradeci, Korça dhe Librazhdi drejt Tiranës janë përballur me një bllokim total të qarkullimit në segmentin Elbasan–Murrash. Shoferëve u janë dashur deri në 5 deri në 6 orë për të përshkuar një rrugë që normalisht zgjat jo më shumë se 2 orë.

Shkaku kryesor? Punimet e pandalshme dhe pa afat të qartë përfundimi në zonën e Murrashit, ku ndërtimi i dy tuneleve po zhvillohet me ritme të paqarta dhe pa asnjë plan konkret të menaxhimit të trafikut gjatë kohës së punimeve. Mungon sinjalistika, mungojnë devijimet alternative dhe më e rëndë, mungon menaxhimi nga autoritetet.

Pamjet dhe raportimet në rrjet tregojnë radha kilometrike automjetesh në temperatura nën zero, ndërsa qytetarët qëndrojnë të bllokuar për orë të tëra në rrugë pa informacion, pa ndihmë dhe pa asnjë komunikim institucional. Policia rrugore, në vend që të ndihmojë qarkullimin, duket thjesht vëzhguese e kaosit.

Kjo nuk është hera e parë që aksi Elbasan–Librazhd shpallet "i pakalueshëm", por është hera e radhës që institucionet heshtin dhe qytetarët vuajnë. Për banorët e zonës dhe transportuesit që lëvizin çdo ditë, kjo rrugë është kthyer në një ferr i përditshëm. Askush nuk di se kur përfundon ky makth, dhe akoma më keq, askush nuk merr përgjegjësi për një situatë që përsëritet çdo sezon.

Lini një Përgjigje