
Komisionerja e BE për Zgjerim ultimatum politikës: Garantoni pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme
Parlamenti Europian do të votojë nesër progres-raportet për Shqipërinë për vitet 2023 dhe 2024.
Në debatin e zhvilluar në Strasburg, vëmendja kryesore u përqendrua tek rezultatet e drejtësisë dhe në veçanti tek puna e SPAK-ut, institucioni që, sipas Brukselit, përfaqëson fytyrën më të ndritur të reformës.
Komisionerja e BE për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi qartë punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke theksuar se ajo është sot institucioni më i besuar nga qytetarët shqiptarë. Ajo kërkoi që të garantohet mbrojtja dhe pavarësia e plotë e kësaj strukture.
“Rezultatet e mira të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe. Në këtë kontekst, pavarësia e Strukturës së Posaçme duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar”, tha Kos gjatë fjalës së saj në seancë. Një mesash që duket se shkon për Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën dhe gjithë ata që po punojnë nën rrogoz kundër SPAK.
Në të njëjtën linjë, Komisionerja theksoi se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë po zhvillohen me ritëm të shpejtë dhe se disa nga kapitujt e rëndësishëm janë përmbushur. “Ky raport vjen në një moment vendimtar, pasi procesi po ecën me një ritëm të paparë më parë. Shqipëria po tregon angazhim serioz në këtë proces, ndërsa BE-ja po mban fjalën e dhënë, duke ndjekur qasjen e bazuar në meritë”, shtoi ajo.
Në mbyllje të fjalës, Kos theksoi rëndësinë gjeopolitike të Shqipërisë dhe rajonit në këtë fazë: “Në kontekstin aktual ndërkombëtar, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor mbeten një prioritet strategjik për Bashkimin Europian”.
Lini një Përgjigje