
Protesta qytetare para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të dhjetë, ndërsa këtë herë zërat e diasporës zunë një vend të veçantë në tubim. Mes pjesëmarrësve ishte edhe studentja shqiptare në Francë, Alba Bajraktari, e cila e cilësoi lëvizjen si një moment historik për vendin.
“Ky është një moment historik. Për herë të parë shqiptarët pas 35 vitesh bëhen bashkë përtej përkatësive politike. Për herë të parë pas 35 vitesh shqiptarët dëshmojnë se Shqipëria është mbi gjithçka”, deklaroi Bajraktari para protestuesve.
Sipas saj, mobilizimi qytetar po dëshmon se shqiptarët janë të gatshëm të mbrojnë interesat e vendit pa u ndarë sipas bindjeve politike.
“Shqiptarët po tregojnë se nuk nëpërkëmben nga askush. Sot shenjojmë fundin e tranzicionit të tejzgjatur. Fytyra europiane e Shqipërisë është kjo protestë, jeni ju. Shqipërisë ne i dalim vetë për zot”, u shpreh ajo.
Studentja shqiptare i bëri gjithashtu thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës në ditët në vijim.
“Gjej rastin të bëj thirrje për çdo shqiptar që të na bashkohet çdo ditë këtu në bulevard. Është një përjetim i kujtdo që e do Shqipërinë vërtet”, tha Bajraktari.
Në protestë mori pjesë edhe një emigrant shqiptar që jeton në Gjermani, i cili u shpreh se ishte kthyer në Shqipëri për t’iu bashkuar lëvizjes qytetare.
“Faleminderit që e bëni të qartë se Shqipëria nuk është pronë private. Sot jam kthyer këtu sepse vendi ka nevojë për ne. I bëj thirrje diasporës të vijmë ne”, tha ai.
Emigranti theksoi se protesta ka tejkaluar tashmë kauzën fillestare të Zvërnecit dhe është shndërruar në një reagim më të gjerë ndaj problemeve të vendit.
“Kjo protestë nisi me Zvërnecin, por është kundër korrupsionit, vjedhjeve dhe varfërisë”, deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij, emigranti renditi edhe disa nga kërkesat e protestuesve, duke përmendur shfuqizimin e Paketës së Maleve, heqjen e ligjit për investimet strategjike dhe krijimin e një qeverie teknike.
“Kërkesat tona janë të thjeshta; hiqni Paketën e Maleve, hiqni ligjin e investimeve strategjike dhe të krijojmë një qeveri teknike. I bëj thirrje Ramës, shqiptarët dhe Shqipëria nuk kanë nevojë për ty. Shqiptarët nuk të duan”, u shpreh ai.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa pjesëmarrësit këmbëngulin se lëvizja është qytetare dhe e pavarur nga partitë politike.
Lini një Përgjigje