
Drejtuesit aktualë zbatojnë të njëjtin skenar abuziv të ish-drejtorit Pirro Vengu, duke paguar me miliarda për kamionë dhe makineri që porti i ka në pronësi...
Vazhdon modeli i tenderëve korruptivë i ish-drejtorit Pirro Vengu, marifeti i përdorur për të justifikuar dhe fshehur “dardhat pas shpine”
Edhe një vit pas largimit të Pirro Vengut nga drejtimi i Portit Detar të Durrësit, atje ka mbetur dhe vazhdon të zbatohet modeli i tij korruptiv nga drejtuesit aktualë; disa prej tyre ish-vartës të tij, me të cilët është bërë batërdia në financat e portit gjatë viteve 2019–2024.
Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 6 tetor 2025, drejtori i Portit Detar të Durrësit, Kreshnik Bajraktari, ka publikuar njoftimin për zhvillimin e tenderit me objekt:
“Marrje me qira makinerish reachstacker dhe kamionësh për terminalin e kontejnerëve.”
Tenderi është me vlerë 1 miliard lekë me TVSH dhe parashikon një kontratë qiraje për 1 vit përdorimi të makinerive dhe kamionëve, dhënë firmave “Albanian Stevedoring Company” dhe “Çela Trans – Rrahim Çela Person Fizik”, të dyja me adresë në territorin e Portit të Durrësit.

Sipas informacioneve, ky tender me vlerë 1 miliard lekë është fiktiv, pasi Porti Detar i Durrësit posedon vetë makineri reachstacker dhe kamionë për përdorim në terminalin e kontejnerëve. Por, kur ekziston liria për të zhvatur, bëhen tenderë të tillë “me qira” për mjete që porti i ka në pronësi.
Në njoftimin e tenderit nuk bëhet e ditur sa kompani kanë marrë pjesë në garë dhe nëse ka pasur pjesëmarrës të tjerë apo jo. Nuk jepen as vlerat e ofertave, pasi procedura është zhvilluar vetëm me dy kompanitë e bashkuara, të cilat edhe u shpallën fituese.
Nga 1 miliard lekë me TVSH që ishte fondi limit, kontrata u lidh me vlerën 547 milion lekë, për të krijuar përshtypjen false sikur drejtuesit e Portit Detar Durrës janë “kursimtarë” dhe i dhimbset buxheti i shtetit, duke pretenduar se kursyen 450 milion lekë nga fondi limit.
Në fakt, drejtuesit e portit kanë ndarë fondin në dy pjesë, duke deklaruar vetëm gjysmën e vlerës së dhënë, ndërsa e gjithë procedura është fiktive dhe me dyshime të forta për vjedhje, pasi porti paguan për marrjen me qira të makinerive e kamionëve, kur ka mjaftueshëm të tillë në pronësi./Pamfleti
Lini një Përgjigje