
Kryemadhi është thirrur në SPAK për llogari të hetimeve mbi pasurinë e saj.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka shkuar sot në SPAK.
Kryemadhi ka mbërritur në SPAK mëngjesin e sotëm rreth orës 10:00, ndërsa nuk dihen ende arsyet pse deputetja e PL ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme.
Kjo nuk është hera e parë që Kryemadhi thirret në SPAK. Ajo mbërriti në dyert e Prokurorisë së Posaçme e vetme, e pa shoqëruar nga avokati dhe pritet të japë shpjegime para Burosë Kombëtare të Hetimit.
Ndërkohë në dhjetor të vitit të kaluar, Monika Kryemadhi pranoi se ishte në hetim pasuror nga Prokuroria e Posaçme, e tha se është e hapur të përballet me drejtësinë.
Më 11 prill të këtij viti, SPAK mori në pyetje për gati 5 orë nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, nëna e Kryemadhi tha për mediat se është pyetur në lidhje me hetimet për pasurinë.
Fatime Kryemadhi ka deklaruar se të gjitha transaksionet janë kryer me bankë. Teksa theksoi se nuk ka qenë ndonjëherë pronare kompanie dhe se në telefonin e sekuestruar nuk ka asgjë.
Kujtojmë se SPAK po proceson dy hetime mbi çiftin Meta të bashkuara me një fraksion.
I pari lidhet me një kallëzim të depozituar në SPAK për akuzën e Korrupsionit, Pastrimit të parave dhe fshehjes të të ardhurave. Në denoncimin e avokatit Idajet Beqiri, përmendet se bashkëshortët Meta-Kryemadhi kanë kryer ndërhyrje estetike në një klinikë private jashtë vendit dhe se nuk kanë deklaruar shpenzimet.
Hetimi për dyshimet e pastrimit të parave ka sjellë automatikisht hetim pasuror- bëjnë me dije të njëjtat burime. Një tjetër hetim është edhe ai i denoncimit në episodin e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohur ndryshe si lobimi 700 mije dollarësh.
Në kallëzim thuhet se partia që drejtohej nga Ilir Meta, pagoi miliona për të lobuar për një fotografi me Donald Trump. Mes letërporosive të përcjella, SPAK po pret ende përgjigje nga Qipro dhe nga San Marino. Por në këto hetime që janë ende të fokusuara tek shkresat e te huajve, dhe kur bankat i kane kopsitur përgjigjet për transfertat, maja e ajsbergut mbi këto çështje u bë e dukshme ditën kur deputetja Kryemadhi kërkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë, kthimin e iPhonit, që nuk u pranua nga të dyja gjykatat.
E qartë është se tani SPAK-un nuk e pengon asgjë ta këqyre telefonin e të nxjerrë prej andej, gjithë çfarë kërkon.
Lini një Përgjigje