TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Shtator 2025, 17:33

Ndërkombëtarët “sy e veshë” te KLP, mesazh politikës të rrijë larg garës për kreun e SPAK!

Shkruar nga Pamfleti

Ndërkombëtarët “sy e veshë” te KLP, mesazh

Ambasadori gjerman: Gara për kreun e SPAK, të jetë transparente, e bazuar në meritë dhe e lirë nga ndikimi i jashtëm

Politika nuk do ta ketë shumë të lehtë të fusë duart te gara për kreun e ri të SPAK. Sot KLP hapi garën për pasardhësin e Altin Dumanit, i cili më 18 dhjetor mbyll mandatin në krye të Prokurorisë së Posaçme. Ai nuk ka të drejtë kandidimi dhe pritet që të hyjnë në garë kolegët e tij. Por duke parë zhvillimet e 3 viteve të fundit dhe atë që ndodhi kur Dumani u zgjodh kryetar, ndërkombëtarët kanë frikë se politika do të tentojë të ndërhyjë në proces për të vendosur aty një drejtues kukull, me qëllim që të shpëtojnë nga hetimet.

Për këtë arsye, mesazhet në drejtim të KLP janë intensifikuar ditët e fundit. Pas SHBA e BE pak ditë më parë, sot ka ardhur një mesazh nga ambasadori gjerman Karl Bergner. Ai ka kërkuar nga politika që t qëndrojë larg këtij procesi.

"Në vitet e fundit, nën udhëheqjen e Altin Dumanit, SPAK ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Besimi i madh i popullsisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë në punën e SPAK e thekson në mënyrë mbresëlënëse këtë. Procesi i nisur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të zgjedhur kreun e ardhshëm të SPAK duhet të jetë transparent, i bazuar në meritë dhe i lirë nga ndikimi i jashtëm. Pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të demonstrohet në procesin e nisur sot, por edhe në veprimet e përditshme të organeve ekzekutive dhe legjislative, është një kriter kyç për Gjermaninë në lidhje me sundimin e ligjit dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE", ka deklaruar ai.

Në të njëjtën linjë janë rreshtuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe delegacioni i BE në Tiranë. Ambasada amerikane, përmes Nancy VanHorn, ka theksuar se përzgjedhja e pasardhësit të Altin Dumanit duhet të jetë “e paanshme, transparente dhe pa ndikime politike”. Nga ana tjetër, ambasadori i BE-së ka zhvilluar takime të posaçme me kryetaren e KLP, Mirela Bogdani, për të kërkuar zbatim strikt të kritereve ligjore dhe të meritokracisë.

Gara për drejtimin e SPAK nuk është thjesht një çështje procedurale. Në sfond është frika e përsëritjes së tentativave për të kapur drejtësinë, një skenar i shmangur tre vite më parë kur ambasadorja amerikane Yuri Kim ndërhyri personalisht për të garantuar një proces të pakontestuar. Ajo mori pjesë fizikisht në mbledhjen e KLP, duke dërguar një sinjal të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejonin një emërim të diktuar nga pazaret politike.

Sot, në mënyrë më të heshtur, por po aq serioze, ndërkombëtarët kanë vënë sytë mbi këtë proces, duke ngritur barrën e transparencës mbi supet e një institucioni që nuk gëzon më luksin për të gabuar. Kandidatët që do të dalin në garë do të jenë nën filtrin e monitorimit ndërkombëtar dhe çdo devijim, kompromis apo pazëll politik në prapaskenë pritet të ekspozohet menjëherë.

SPAK është kthyer në një simbol të reformës në drejtësi dhe rikthimit të besimit publik, por ky simbol mund të rrëzohet me një vendim të vetëm. Për këtë arsye, gara për kreun e ri nuk është vetëm një emërim, është një test për sistemin, një provë për KLP-në dhe një sinjal se sa seriozisht e merr shteti shqiptar luftën kundër krimit dhe korrupsionit. /Pamfleti

Lini një Përgjigje