TAGS-AT E JAVËS

Sport19 Qershor 2026, 21:39

Ndeshja me Spanjën e ktheu në hero, historia prekëse e nënës që do të shohë të birin në Botëror falë ndërhyrjes së DASH-it (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Ndeshja me Spanjën e ktheu në hero, historia prekëse e
Vozinja-nëna e tij

Historia e portierit të Kombëtares së Kepit të Gjelbër, Vozinja, ka prekur opinionin publik gjatë Kupës së Botës, pasi nëna e tij nuk mundi të ishte e pranishme në debutimin historik të të birit për shkak të problemeve me pajisjen me vizë për në Shtetet e Bashkuara.

Vozinha ishte një nga protagonistët kryesorë në ndeshjen hapëse të Kepit të Gjelbër, duke realizuar shtatë pritje vendimtare në barazimin 0-0 ndaj Spanjës, kampiones së Evropës. Performanca e tij u vlerësua si vendimtare për rezultatin pozitiv të skuadrës, por gëzimi i portierit 40-vjeçar u shoqërua me zhgënjim, pasi nëna e tij, Ana Kandida Evora, nuk mundi ta ndiqte nga afër këtë moment të rëndësishëm të karrierës së tij.

Rasti mori jehonë të madhe në media dhe rrjetet sociale, ndërsa emocionet e shprehura nga portieri pas ndeshjes u bënë virale. Pas kësaj, Departamenti Amerikan i Shtetit ndërhyri për të ndihmuar në zgjidhjen e procedurave të nevojshme për udhëtimin e Evorës.

Zyrtarët konfirmuan se ekipi i vizave në Praia ishte në kontakt të vazhdueshëm me nënën e futbollistit dhe se dokumentacioni i saj u miratua në përputhje me procedurat përkatëse, duke i hapur rrugën udhëtimit drejt SHBA-së.

Tashmë, Ana Kandida Evora pritet të jetë e pranishme në tribunat e stadiumit në Miami, ku Kepi i Gjelbër do të përballet me Uruguain në ndeshjen e dytë të grupit.

Më herët, qytetarët e Kepit të Gjelbër ishin ndër ata që prekeheshin nga kërkesat shtesë për hyrjen në SHBA, përfshirë garanci financiare që arrinin deri në 15 mijë dollarë. Megjithatë, kjo masë u hoq më vonë për mbajtësit e biletave të Kupës së Botës. Pavarësisht kësaj, kostot e larta të udhëtimit kishin bërë që Evora fillimisht të hiqte dorë nga përpjekja për të udhëtuar.

Me zgjidhjen e çështjes së vizës, historia e familjes Vozinha pritet të ketë një fund të lumtur, teksa nëna do të ketë mundësinë të shohë nga afër djalin e saj duke përfaqësuar kombin në skenën më të madhe të futbollit botëror.

nëna e vozinjas ana kandida evora

Lini një Përgjigje