TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Shkurt 2026, 13:17

Ndërtimi i resortit luksoz/ Banorët e Rrjollit vijojnë protestën dhe përplasen me policinë: Nuk ua lëshojmë tokën, e kemi me letra

Shkruar nga Pamfleti
Ndërtimi i resortit luksoz/ Banorët e Rrjollit vijojnë
Banorët e Rrjollit vijojnë protestën dhe përplasen me policinë

Banorët e fshatit Rrjoll, në njësinë administrative Velipojë të Shkodrës, kanë vijuar protestat kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë, duke bllokuar sërish punimet.

Gjatë protestës në terren, banorët kanë ndërhyrë duke nxjerrë punonjësit nga makineritë e rënda të ndërtimit, ndërsa situata është tensionuar deri në përplasje me forcat e policisë. Ata janë shprehur të vendosur se do t’i bllokojnë punimet çdo ditë, derisa të ndalet ndërtimi.

“Zotin e kemi me vete. Tokën e kemi me letra, nuk do ta lëshojmë kurrë”, dëgjohen të thonë banorët, ndërsa një tjetër qytetar u shpreh se protesta ka hyrë në ditën e pestë dhe se kompania ndërtuese është detyruar të ndalë përkohësisht punimet.

“Është dita e pestë në protestë. Sot ndaluan punimet dhe kemi marrë fjalën nga kompania që nuk do të punojnë. Nëse keni ndopak mall për tokën tuaj, hajdeni dilni për zot. Ju lutemi na ndihmoni”, u shpreh një qytetar për mediat.

Ndërkohë, ditën e djeshme banorët e fshatit Rrjoll janë paraqitur para SPAK, ku kanë kërkuar drejtësi për atë që e cilësojnë si zaptim të tokave të trashëguara prej tyre. Me pankarta në duar, ata kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve, duke pretenduar se investimi po kryhet mbi prona private.

Sipas banorëve, kjo është hera e dytë që i drejtohen Prokurorisë së Posaçme. Më 25 mars të vitit të kaluar, ata kanë depozituar një kallëzim penal ndaj firmës ndërtuese dhe disa personave të tjerë, të cilët dyshohet se kanë falsifikuar dokumente pronësie në zonën Baks–Rrjoll.

Protestat në Velipojë kanë vijuar prej disa ditësh, shoqëruar edhe me ndërhyrje të policisë, e cila ka larguar banorët nga rruga ku kanë nisur punimet për ndërtimin e resortit turistik.

Sipas projektit, kompleksi turistik pritet të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 146 hektarësh, duke u konsideruar një nga investimet më të mëdha turistike në vend. Më 31 dhjetor 2024, Bashkim Ulaj, së bashku me vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj, përmes shoqërisë “Aba Blue Borgo” sh.p.k., pjesë e grupit “Gener 2”, kanë përfituar statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje” për projektin “Blue Borgo”, që parashikon ndërtimin e një fshati turistik me vila dhe hotele luksoze në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks–Rrjoll.

Banorët, megjithatë, këmbëngulin se lejet dhe statuset e miratuara nuk ndryshojnë realitetin në terren, duke pretenduar se toka e tyre është zaptuar dhe se shteti është rreshtuar përballë tyre. 

Lini një Përgjigje