TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Korrik 2025, 17:14

Në rrezik shembje, ARRSH mbyll papritur urën e Milotit; Dom Gjergj Meta: Vendimi merret në kulmin e sezonit turistik

Shkruar nga Pamfleti

Në rrezik shembje, ARRSH mbyll papritur urën e Milotit; Dom Gjergj

Një nga urat më të rëndësishme të qarkullimit në veri të vendit, ura e vjetër e Milotit mbi lumin Mat, është mbyllur përfundimisht për automjetet, pas konstatimit të dëmtimeve serioze në këmbët mbajtëse. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, dëmet janë pasojë e mungesës së mirëmbajtjes dhe tërheqjes së inerteve pranë strukturës, çka ka dobësuar ndjeshëm stabilitetin e urës dhe e ka bërë të rrezikshme për përdorim.

Ky vendim vjen në kulmin e sezonit turistik, duke shkaktuar kaos në aksin Milot–Lezhë, ku fluksi i automjeteve, sidomos nga emigrantët e kthyer për pushime dhe turistët, është mjaft i lartë. Radhët e gjata dhe trafiku i bllokuar po e bëjnë situatën të padurueshme për banorët dhe drejtuesit e mjeteve, ndërsa mungon një plan alternativ qarkullimi.

Reagimi më i ashpër publik ka ardhur nga presidenti i Konferencës së Ipeshkvijve të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta, i cili e ka quajtur vendimin “shenjë të inkompetencës absolute të institucioneve që merren me rrugët”. “Si ka mundësi që në mes të sezonit turistik, në kulmin e ardhjes së emigrantëve dhe të organizimit të dasmave, të mbyllet ura e Milotit?”, pyeti ai, duke kritikuar mungesën e çdo paralajmërimi apo transparence për kohën dhe mënyrën e ndërhyrjes.

“A kontrollohet me kohë gjendja e urave për të ndërhyrë në mënyrë parandaluese, para se të arrijë në këtë pikë kritike?”, shtoi ai, duke ngritur dyshime mbi mungesën e monitorimit dhe të përgjegjësisë institucionale. Në terren, qytetarët presin me pasiguri një zgjidhje, ndërsa bllokimi i urës vazhdon të krijojë tension dhe pakënaqësi të thella.

Lini një Përgjigje