Për herë të parë që nga nisja e protestave, përfaqësuesit e lëvizjes paraqitën publikisht një platformë me kërkesa politike dhe ligjore, me në krye dorëheqjen e qeverisë.
Protesta e sotme para Kryeministrisë shënoi një tjetër zhvillim të rëndësishëm, teksa për herë të parë organizatorët dolën me një platformë të qartë dhe me kërkesa konkrete, duke treguar se lëvizja ka kaluar tashmë kufijtë e kundërshtimit ndaj projektit të Zvërnecit.
Një prej përfaqësuesve të protestuesve deklaroi para turmës se lëvizja tashmë përfaqësohet nga një grup nismëtar dhe një grup koordinues, të cilët do të drejtojnë veprimet e ardhshme të protestës.
“Kjo lëvizje mbarëkombëtare përfaqësohet nga një grup nismëtar dhe një grup koordinues patriotësh, me integritet dhe vlera të larta intelektuale e shoqërore. Gra dhe burra dinjitozë, të rinj e të reja të vendosur për ta çuar këtë kauzë deri në fund dhe në përputhje me vullnetin e sovranit do të dimë të marrim vendimet e duhura në kohën e duhur”, tha ai mes brohorimave të protestuesve.
Sipas organizatorëve, pakënaqësia qytetare nuk lidhet më vetëm me zhvillimet në Zvërnec, por me mënyrën se si është qeverisur vendi gjatë viteve të fundit.
“Kjo nismë lindi si përgjigje ndaj rrezikut të madh në të cilën ndodhet vendi ynë. Sipas bindjes sonë, veprimet e qeverisë dhe të gjithë kësaj klase politike 35-vjeçare kanë cenuar interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë, duke vënë pasuritë dhe të ardhmen e vendit në shërbim të interesave dhe politikave të tyre të ndyra private”, deklaroi përfaqësuesi i protestuesve.
Më pas ai bëri të ditur se protesta organizohet dhe drejtohet nga qytetarë të pavarur.
“Deklarojmë se protesta është organizuar dhe udhëhiqet nga qytetarë të lirë, të bashkuar rreth një kauze të përbashkët mbarëkombëtare për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh ai.
Në vijim u prezantuan edhe pesë kërkesat zyrtare të protestës. Në krye të tyre ishte dorëheqja e qeverisë, kërkesë që u shoqërua me thirrjet në kor të turmës “Dorëheqje! Dorëheqje!”. Protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
5 kërkesat e protestuesve
-Dorëheqjen e qeverisë
-Shfuqizimi i ligjit për investitorëve strategjike
-Shfuqizimi i Paketës së Maleve
-Anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtjes
-Anulimin e ndryshimeve ne ligjin për trashëgiminë kulturore
Bravo Bravo Bravo. Ju bej thirrje gjithe shqiptareve patriot dhe te ndergjegjshen te qendrojne. Kane perballe nje kryeminister me shume leke te vjedhura, me shume lidhje, me shume banda kriminale ne krah, me nje administrate te korruptuar etj etj. Nuk eshte e lehte , por neser do jete dhe me e veshtire. Ta terheqesh zvarre i ben nder ketij kryeministri mizerje.
Nga viti 1997 deri në vitin 2026, çdo qytetar i votuar ka kontribuar në këtë sistem shkatërrimi. Pse? Sepse njerëzit që ne votuam punuan për shkatërrimin e së ardhmes sonë në çdo fushë! Ironikisht, ata bënë pasuri prej saj. Malet u shkatërruan shumë kohë më parë nga "privatizimi". A nuk është vonë për të ndaluar shkatërrimin e vendit tonë të bukur?