TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Qershor 2026, 10:32

Ndrojtja pa sens e kritikëve të Edi Ramës në PS

Shkruar nga Pamfleti
Ndrojtja pa sens e kritikëve të Edi Ramës në PS
Karikatura Pamfleti /

Elisa Spiropali, Petro Koçi, Erion Braçe, Arben Malaj dhe zëra të tjerë po artikulojnë pakënaqësitë ndaj lidershipit të PS-së, por për sa kohë kritikat mbeten të shpërndara dhe pa një objektiv të përbashkët, ato i shërbejnë më shumë Edi Ramës sesa kundërshtarëve të tij...

Në Partinë Socialiste kanë nisur të dalin hapur zërat e pakënaqur dhe kritikë ndaj lidershipit të Edi Ramës. Më e qarta deri tani ka qenë Elisa Spiropali, e cila ka shpalosur një lloj manifesti politik për ndryshim lidershipi dhe ndryshim të mënyrës së qeverisjes.

Përveç saj, publikisht kanë folur figura si Petro Koçi, ish-ministër dhe ish-deputet, Ornela Çuçi, ish-zv.ministre, si dhe Erion Braçe me kritikat e tij të vazhdueshme, edhe pse të kujdesshme.

Këtyre u shtohen zëra nga qarqet intelektuale dhe mediatike pranë së majtës, si Mustafa Nano, Fatos Tarifa dhe media që identifikohen me grupimin e Erion Veliajt.

Në një linjë të qartë kritike qëndrojnë edhe figura të establishmentit të vjetër socialist, si Arben Malaj, Thoma Gëllçi dhe Luan Rama.

Të gjithë janë kritikë. Të gjithë shprehin pakënaqësi. Të gjithë artikulojnë rezerva ndaj mënyrës se si po drejtohet Partia Socialiste dhe vendi. Por secili e bën nga këndvështrimi i vet, në mënyrë të fragmentuar dhe pa koordinim politik.

Dhe pikërisht këtu ndodhet paradoksi.

E gjithë kjo situatë, që në pamje të parë duket si shenjë dobësimi për Edi Ramën, në fakt i shërben atij. Sepse i jep mundësinë të paraqitet si lider që toleron mendimin ndryshe dhe pluralizmin brenda partisë.

Për sa kohë këto kritika mbeten individuale, të shpërndara dhe pa një objektiv të përbashkët politik, ato nuk përbëjnë kërcënim real. Përkundrazi, shërbejnë si dekor demokracie.

Kjo ndryshon vetëm kur kalohet ajo që mund të quhet “vija e kuqe”. Ashtu siç ndodhi me Mustafa Nanon, kur kërkoi hapur largimin e Edi Ramës. Reagimi i kryeministrit ishte i menjëhershëm dhe domethënës. Ai e trajtoi si mosmirënjohës, duke i kujtuar postin diplomatik që kishte marrë më parë.

Mesazhi nuk ishte vetëm për Nanon. Ishte për këdo tjetër që mund të kalojë nga kritika e përgjithshme te kërkesa e drejtpërdrejtë për largimin e liderit.

Sot nuk ka më vend për neutralitet dhe as për kalkulime pragmatike. Çdo politikan që e lexon qartë situatën e kupton se Edi Rama ka hyrë në fazën e fundit të ciklit të tij politik.

Pothuajse të gjitha qarqet serioze diplomatike dhe politike po mendojnë për periudhën pas Ramës. Prandaj nuk është as koha dhe as momenti për ndrojtje politike.

Edhe pamfletet shekspiriane të Elisës mund të shërbejnë si oksigjen për Ramën, nëse mbeten vetëm ushtrime stilistike dhe nuk shndërrohen në veprim politik.

Kritikët e tij, që në realitet përbëjnë një grup jo të vogël, ndodhen përballë shansit të fundit. Ata duhet të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët dhe koherent për të hapur një betejë të vërtetë brenda Partisë Socialiste.

Në të kundërt, rrezikojnë të përsërisin gabimin që bënë për vite me radhë kundërshtarët e Sali Berishës brenda Partisë Demokratike, të cilët e panë momentin, por nuk patën kurajën ta kapnin.

Sepse Edi Rama nuk po e përdor më Partinë Socialiste si instrument politik. Ai po përpiqet ta përdorë si bunker antiatomik për t’u mbrojtur në kohën e rrethimit.

Dhe pikërisht këtu ndodhet thelbi i çështjes.

Kritikët e tij kanë vetëm një mundësi: ta nxjerrin Edi Ramën nga bunkeri.

Vetëm kaq./Pamfleti

 

ndrojtja pa sens e kritikëve të edi ramës

1 Komente

  1. Y
    Ylli

    ne bunker a ne burg le te izolohet e te tranohet keqas le te kthehen dhe parate popullit me hartat e thesareve ku i kane fshehur se u kapen keq me "vendin e bishes l"= Zver nec

    Lini një Përgjigje