Juljan Shehu ka tërhequr vëmendjen e Olimpiakosit, me gjigantët grekë që po shqyrtojnë mundësinë e afrimit të mesfushorit shqiptar gjatë merkatos së verës.
Pas përfundimit të sezonit si nënkampion i Greqisë, Olimpiakosi ka nisur punën për ndërtimin e skuadrës për edicionin e ardhshëm, ndërsa emri i Shehut figuron mes alternativave për repartin e mesfushës.
Megjithatë, një transferim i mundshëm nuk pritet të jetë i lehtë. Futbollisti 27-vjeçar është i lidhur me Uidzeu Lodz deri në vitin 2028, çka i jep klubit polak një pozicion të fortë në negociata dhe nuk e detyron të nxitojë për shitjen e tij.
Shehu ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës polake gjatë katër sezoneve të fundit. Përjashtim bën vetëm sezoni i tij i dytë në Poloni, kur u detyrua të qendronte larg fushave për shkak të një dëmtimi të rëndë. Pas rikuperimit, ai është rikthyer në formën e tij më të mirë.
Paraqitjet pozitive në klub i kanë hapur rrugën edhe në Kombëtaren shqiptare. Gjatë vitit 2025, Shehu u shndërrua në një nga risitë e ekipit kuqezi dhe fitoi statusin e titullarit në formacionin e drejtuar nga Silvinjo gjatë kualifikueseve të Kupës së Botës.
Deri më tani, mesfushori shqiptar ka zhvilluar 103 ndeshje me Uidzeu Lodz në elitën e futbollit polak. Në këtë periudhë ai ka realizuar nëntë gola dhe ka dhuruar tetë asistime, duke konfirmuar rolin e tij të rëndësishëm në skuadër.
Lini një Përgjigje