Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, ka nisur zbatimin e një skeme të re lehtësuese për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura nga faturat e energjisë elektrike, të krijuara deri më 31 dhjetor 2024.
Skema përfshin të gjitha kategoritë e klientëve të FSHU, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar familjeve në nevojë. Sipas njoftimit zyrtar, klientët familjarë që përfitojnë ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë do të kenë mundësi të lidhin marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve të krijuara deri më 31 dhjetor 2025. Pagesa minimale për këtë kategori nis nga 1,200 lekë në muaj, me kusht që të mos krijohen detyrime të reja për vitin 2026.
Ndërkohë, klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë faturat e prapambetura me këste mujore që nisin nga 2,800 lekë për detyrimet e krijuara deri në fund të vitit 2024, duke respektuar kushtin që të mos kenë debi të reja për periudhën 2025–2026.
Sipas OSHEE Group, për të garantuar një skemë të përballueshme për klientët, numri maksimal i kësteve mund të arrijë deri në 240, ndërsa çdo klient ka të drejtë të zgjedhë një këst më të lartë se minimumi për të përfunduar më shpejt shlyerjen e detyrimit.
Edhe institucionet buxhetore dhe jo-buxhetore do të përfshihen në këtë skemë, ku numri i kësteve do të përcaktohet në bazë të vlerës së detyrimit. Për detyrimet nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë parashikohen deri në 24 këste, ndërsa për detyrime mbi 10 milionë lekë mund të arrihet deri në 120 këste.
Një skemë e veçantë është parashikuar edhe për faturat korrektive, faturat përmbledhëse apo rastet e testimit të matësit dhe energjisë së akumuluar, të cilat mund të likuidohen deri në 24 këste.
OSHEE Group ka miratuar gjithashtu reduktime të konsiderueshme të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin. Klientët familjarë përfitojnë ulje prej 70 për qind të kamatëvonesës, klientët jofamiljarë 50 për qind, ndërsa biznesi i vogël përfiton falje të plotë të kamatëvonesës nëse e likuidon menjëherë detyrimin.
Për të përfituar nga këto skema lehtësuese, klientët duhet të kenë shlyer fillimisht detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025 dhe në vijim. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kësti i parë duhet të paguhet brenda shtatë ditëve, ndërsa më pas pagesat vijojnë çdo muaj deri në shlyerjen e plotë të borxhit.
Sipas OSHEE Group, këto masa synojnë të lehtësojnë qytetarët dhe bizneset në përballimin e detyrimeve financiare, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin financiar të kompanisë dhe cilësinë e shërbimeve të furnizimit me energji elektrike.
Lini një Përgjigje