TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Qershor 2026, 20:51

“Nga 83 u bënë 82”, largimi i Koçekut ngjall entuziazëm te protestuesit: Oqeani nuk është më i njëjti

Shkruar nga Pamfleti
“Nga 83 u bënë 82”, largimi i Koçekut ngjall
Pamje nga protesta

Largimi i deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste po interpretohet nga protestuesit si shenja e parë se pakënaqësitë kanë nisur të dalin në sipërfaqe edhe brenda mazhorancës.

Gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, një prej pjesëmarrësve u ndal te vendimi i deputetes së Shkodrës për t'u shpallur e pavarur, duke e cilësuar atë si një moment simbolik për lëvizjen protestuese.

Mos e lini këtë energji që na është krijuar për herë të parë në 124 vjet! Marjana Koçeku u largua. Nga 83 deputetë janë 82! Një pikë ujë nuk prish punë në oqean, por oqeani nuk është më i njëjti”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në protestë mori pjesë edhe aktorja Julinda Emiri, e cila mbajti një fjalim të ashpër kundër qeverisë dhe projekteve që sipas saj kanë sjellë konflikt me komunitetet lokale dhe pronën publike.

Aktorja deklaroi se kundërshtimi i saj ndaj qeverisë ka nisur që në ditët e para të mandatit dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga protesta.

Para disa ditësh më thanë për një djalë që kishte thënë këtu, ku janë artistët që ju shemb Teatri Kombëtar. Unë jam Julinda Emiri, jam aktore, kam filluar të protestoj kundër kësaj qeverie që ditën e parë dhe nuk do të shkulem nga ky shesh deri kur kjo qeveri të japë dorëheqjen”, deklaroi ajo.

Emiri e lidhi situatën aktuale me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe konfliktet e tjera që kanë shoqëruar projektet e qeverisë në vite.

Skena që filloi me Teatrin, me zaptimin e pronës publike dhe tërheqjen e njerëzve zvarrë, vijoi më pas me Astirin, me Bregun e Lumit, me gratë që shisnin pras, me Rrjollin dhe Zvërnecin. Rama nuk ka kuptuar që shqiptarët mund të nënshtrohen përkohësisht, por jo përjetësisht. Dashuria për atdheun është mbi dashurinë për nënën e babait”, u shpreh aktorja.

Deklaratat vijnë në një moment kur protestuesit po përpiqen të ruajnë ritmin e mobilizimit, ndërsa largimi i Koçekut nga grupi parlamentar socialist po përdoret si argument nga një pjesë e tyre për të treguar se pakënaqësitë ndaj qeverisë nuk kufizohen vetëm jashtë mazhorancës.

protesta koceku

Lini një Përgjigje