
Pas marshimit në rrugët e Tiranës dhe ndalesës para Parlamentit, protestuesit u drejtuan drejt selisë së Partisë Demokratike, ku qëndruan për disa minuta me pankarta, flamuj dhe thirrje në shenjë revolte.
Më pas, ata vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, në kuadër të ditës së 31-të të protestës qytetare, e cila nisi pas orës 19:00.
Protesta nisi që në orën 10:00 para Kuvendit, ku ndodhën përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Në mbrëmje, qytetarët u mblodhën sërish në sheshin "Skënderbej" dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga organizatorët dhe pjesëmarrësit.
Në përfundim të tyre, organizatorët njoftuan se marshimi i kësaj mbrëmjeje do të ishte më i shkurtër se zakonisht, për shkak se protesta kishte nisur që në orët e para të ditës.
Itinerari përfshiu Bashkinë e Tiranës, Kuvendin dhe më pas selinë e Partisë Demokratike. Para godinës së PD-së, protestuesit brohoritën një sërë sloganesh kundër klasës politike, mes tyre: "PS, PD këlysha komunistësh", "Opozitë e shitur", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe "Poshtë komunistët".
Një prej organizatorëve të protestës, Arben Kola, iu drejtua të pranishmëve duke komentuar tensionet e regjistruara më herët para Kuvendit.
“Për ata që nuk ishin te parlamenti, e patë që ata kërkojnë dhunë. Tani e mbrapa të reagojnë në mënyrë të pavarur dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi. Ju me dhunë, dhe qytetarët me dhunë”, tha ai.
Një tjetër protestues u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës të mos përpiqen të marrin drejtimin e protestës, duke theksuar se qytetarët do ta vijojnë vetë atë.
“Mos u mundoni të merrni frenat e protestës. Luftën me Edi Ramën bëjeni në Kuvend. Mos postoni video nga protesta. Nëse doni, krah për krah me ne. Mund ta bëjmë këtë luftë edhe pa ju”, u shpreh qytetari.
Pas ndalesës para selisë së Partisë Demokratike, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, për ta përmbyllur tubimin para godinës së Kryeministrisë.
Vlera kryesore e protestes eshte qytetaria dhe sllogani me thirrjet dhe parullat kunder estalbishmentit te klases politike qe prodhoi tranzicion sabotues , shkaterrimtare antidemokratik , anti integrues ne BE dhe antishqiptare ne 35 vite.