
Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se Sali Berisha ka identifikuar më shumë grupe armiqësore brenda partisë së tij sesa liderë si Enver Hoxha dhe Stalini në periudhat e tyre.
Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, Spahiu u shpreh se Partia Demokratike ka kaluar në një proces të vazhdueshëm përçarjeje, duke theksuar se nuk ekziston një precedent i ngjashëm në historinë politike.
Sipas Spahiut, edhe partitë komuniste të drejtuara nga Hoxha dhe Stalini nuk kanë pasur kaq shumë përjashtime dhe ndarje të brendshme sa PD në vite. Ai shtoi se, sipas tij, kjo parti nuk përfshin më figura të rëndësishme të themelimit të saj, ish-të përndjekur politikë apo përfaqësues të shtresave të tjera historikisht të lidhura me të, ndërsa ka prodhuar një numër të madh fraksionesh.
“Me statistika, Sali Berisha ka shpikur dhe ka zbuluar më shumë grupe armiqësore brenda partisë sesa Enver Hoxha dhe Stalini së bashku. Realisht të dy partitë, qoftë partia komuniste e Stalinit, qoftë partia komuniste e Enver Hoxhës nuk kanë pasur kaq shumë përjashtime brenda tyre sa PD. PD e Berishës është e vetmja që nuk ka asnjë themelues të 8 dhjetorit në gjirin e saj, nuk ka të burgosurit politikë, asnjë nga ish-pronarët dhe disidentët politikë, është e vetmja që ka krijuar 17 partiza brenda saj në 36 vite. Nuk ekziston në gjithë historinë politike botërore një parti, qoftë komuniste, qoftë demokratike, që të ketë pjellë kaq shumë fraksione. Për hir të së vërtetës, këta nuk janë të gjithë tradhtarë. Nëse do të shikosh dobësinë e një partie, shikoje në armiqtë që ajo zbulon brenda saj”, tha Spahiu.
Ai shtoi se përgjegjësia për këtë situatë lidhet me drejtimin e partisë, duke theksuar se përzgjedhja e anëtarëve është bërë nga vetë lidershipi.
“Fakti që demokratët shiten, po e marrim opsionin, akuzën me të cilën Berisha anatemon kundërshtarët e tij brenda partisë, edhe në këtë rast tregon dobësinë e partisë, të lidershipit sepse ka qenë ai që i ka zgjedhur”, u shpreh Spahiu.
Ai eshte demokart qe udheheq me metoda stalinisto-enveriste.