
Vijon të jetë alarmante situata e zjarreve në vend...
Situata e zjarrit në zonën e Shkopetit ka marrë përmasa edhe më kritike, pasi gjatë natës së kaluar flakët u përhapën në drejtim të Fangut në Mirditë. Terreni tepër i vështirë dhe mungesa e mjeteve të specializuara e kanë bërë ndërhyrjen pothuajse të pamundur.
Gjatë përpjekjeve për të ndalur përhapjen e zjarrit në orët e para të mëngjesit, disa punonjës të Bashkisë Mirditë kanë pësuar lëndime të lehta, teksa po tentonin të shuanin flakët me mjete rrethanore. Aktualisht, vatrat ndodhen pranë zonës së antenave në majën e Kulmës dhe po zbresin drejt fshatit Fang, duke shtuar rrezikun për banorët dhe infrastrukturën strategjike.
Ndërhyrja nga ajri me helikopter të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile është bërë edhe këtë të premte, por pa arritur të vihet nën kontroll vatra kryesore. Autoritetet lokale vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa erërat dhe temperaturat e larta po e kthejnë zjarrin në një kërcënim të madh për gjithë zonën.
Lini një Përgjigje