TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Dhjetor 2025, 15:18

Qeveria shtyn taksën e pronës, pritet të zbatohet në vitin 2030

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria shtyn taksën e pronës, pritet të zbatohet në vitin

Qeveria shtyn për herë të dytë zbatimin e taksës së re të pronës. Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se aplikimi i plotë do të nisë vetëm në vitin 2030.

Malaj foli në eventin e mbylljes së projektit ProTax Albania dhe pranoi se faza tranzitore e vlerësimit të pasurive të paluajtshme do të kërkojë periudhën 2026 deri në 2028. Ai pohoi se projektligji është gati dhe se ministria do t’ia dërgojë së shpejti Këshillit të Ministrave.

Malaj tha se qeveria ka ndërtuar sistemin e Kadastrës Fiskale, por se bashkitë nuk janë ende të lidhura me të. Ai theksoi se integrimi i të gjitha bashkive do të përfundojë brenda vitit 2026 dhe se viti 2027 do të shërbejë për vlerësimin kombëtar të pronave. Ai njoftoi se në vitin 2028 do të hyjnë në përdorim vlerësimet e bazuara në treg për ndërtesat. Malaj theksoi se vetëm në vitin 2030 qytetarët dhe bizneset do të përballen me taksën e tokës dhe truallit sipas standardeve europiane.

Brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë do të jenë të integruara në sistemin e Kadastrës Fiskale. Ky është parakushti thelbësor për çdo hap të mëtejshëm. Në vitin 2027 do të kryhet procesi kombëtar i vlerësimit të pronave. Ndërsa 2026-2027 do të shërbejë si periudhë tranzitore deri në aplikimin e ligjit të ri. Në vitin 2028 parashikohet futja e vlerësimeve të bazuara në treg për ndërtesat, si dhe përmirësimi i normave dhe lehtësimeve Dhe në vitin 2030 do të nisë zbatimi i takës mbi tokën/truall, bazuar në një sistem të plotë të integruar dhe sipas standardeve europiane. Ky do të jetë edhe finalizimi i reformës”, tha ministri i Financave.

Ministri përmendi normat aktuale të tatimit, ku banesat paguajnë 0.05 për qind të vlerës kadastrale dhe subjektet komerciale 0.02 për qind. Ai deklaroi se objektivi i qeverisë është që pesha e kësaj takse të arrijë në 1 për qind të PBB-së. Malaj kërkoi rritje të bashkëpunimit me bashkitë dhe njoftoi se parashikimi i të ardhurave nga taksa e pronës për vitin 2026 është rreth 100 milionë euro, ose 14 milionë euro më shumë se në vitin 2025.

Qytetarët presin ende qartësi për mënyrën si do të llogaritet vlera e tregut dhe për ndikimin në tarifat e ardhshme. Qeveria pranon se reforma është vonuar, por synon që sistemi i ri të hyjë në fuqi vetëm pasi të jenë plotësuar të gjitha fazat teknike.

Lini një Përgjigje