
Babloku synon të bëjë vetting fiktiv, për të mbajtur në detyrë shefat me të cilët bën trafiqet e nuk prekin krimet dhe pastrimin parave, por edhe për të përjashtuar nga policia drejtuesit me integritet, të aftë e të ndershëm, mirëpo agjencitë partnere do jenë pjesë e vettingut, për të pastruar kupolën e policisë nga të inkriminuarit...
Pas 5 vitesh bllokim të Ligjit nr. 12, datë 5 mars 2018, me ultimatum të SHBA-BE ka nisur vettingu në polici ku janë shortuar 36 emrat e parë të drejtuesve të lartë që do kalojnë në filtër për integritetin, profesionalizmin e pasurinë, nga 310 që do jenë në fazën e parë.
Emrat i janë dhënë komisioneve përkatës, që do mbledhin vetë- deklarimet dhe do bëjnë hetimin në Drejtorinë e Policisë, Drejtorinë e Informacionit të Klasifikuar, Drejtorinë e Parandalim-Pastrimit të Parave, në ILDKPI, banka, Interpol, gjykata e prokurori.
Sipas informacioneve, partnerët policor të SHBA-BE, kanë kërkuar nga kryeministri Edi Rama e ministri Bledar Çuçi, dy elemente që kanë rëndësi për evitimin e klientelizmit, abuzimit, eficencës dhe vërtetësinë e vettingut ndaj drejtuesve të policisë.
Së pari, kërkojnë që Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu, të qëndrojë larg ndërhyrjes dhe ndikimeve në procesin e vettingut, ngaqë është i lidhur në interesa me shumë prej drejtuesve të policisë kur i ka pasur vartës.
Së dyti, kërkojnë që ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Ndihmës e Trajnimit të Hetimit Kriminal (ICITAP) në SHBA dhe EUROPOL, që kanë zyra të veçanta në Policinë e Shtetit, të mbikëqyrin vettingun policor dhe të njihen paraprakisht me raportet e hetimit për çdo drejtues.
Po kështu, meqë ligjërisht vettingun në polici e organizon Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e krijon dyshime si strukturë në vartësi të kryeministrit e ministrit të Brendshëm, ata kanë kërkuar të njihen me denoncimet e qytetarëve e bizneseve, që do dërgohen për çdo drejtues policie.
Por kryeministri Rama dhe ministri Çuçi, kanë tentuar ta shmangin pjesëmarrjen e tyre, duke u premtuar garanci se vettingu do bëhet korrekt dhe i imët për figurën, integritetin, pasuritë dhe profesionalizmin e 310 drejtuesve policor që do verifikohen tani e në vijim.
Sipas informacionit, partnerët amerikanë të ICITAP dhe EUROPOL, kanë këmbëngulur të jenë pjesë e procesit të vetting, jo si ndikues e urdhërues, por si mbikëqyrës të çdo hapi e raporti hetimor për të gjithë shefat e policisë, mbasi SHBA-BE janë hartuesit e ligjit të vetting dhe mbështetës të reformës në polici.
Skema e Ramës dhe Çuçit, për t’i shmangur nga vettingu në polici, ka lidhje me vettingun fiktiv, për të mbajtur në detyra drejtuesit me të cilët bëjnë trafiqet dhe nuk prekin e fshehin krimet, por edhe për të përjashtuar nga policia drejtuesit me integritet, të aftë e të ndershëm.
Pra, ekspertët e Agjencisë së Ndihmës, Trajnimit e Hetimit Kriminal në SHBA dhe EUROPOL, do jenë pjesë e vettingut, për të pastruar kupolën e policisë nga të inkriminuarit e të korruptuarit që janë shumë, një prej tyre trafikanti Ermir Gërxhani, Shef Komisariati i Kuçovës./Pamfleti