TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Mars 2026, 22:00

Rritja e naftës, Shoqata e Transportit: Nesër pritet vendimi për kufizimin e autobusëve

Shkruar nga Pamfleti

Rritja e naftës, Shoqata e Transportit: Nesër pritet vendimi për

Rritja e çmimit të karburanteve po ushtron presion të fortë mbi sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ndërsa transporti publik rezulton ndër më të prekurit.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Transportit Ndërqytetës, vetëm gjatë një muaji, operatorët në qarkun e Tiranës kanë përballuar një kosto shtesë prej rreth 400 mijë eurosh, të cilën aktualisht po e mbajnë vetë.

Në një intervistë për "Vizion Plus", përfaqësuesi i sektorit, Dashnor Memaj, theksoi se situata ka arritur në një pikë kritike.

“Vetëm në qarkun Tiranë, bashkë me bashkitë e tjera të vogla, konsumi mujor për transport publik arrin në afër 650-700 mijë litra naftë në muaj. Ne e blinim naftën me shumicë me 155 lekë për litër, por tashmë ky çmim ka arritur në 200-210 lekë/litër. Me këto shifra, kostoja shtesë gjatë këtij muaji ka arritur në afro 400 mijë euro. Në sektorin tonë, kostoja e blerjes së karburantit zë 40-45% të shpenzimeve", u shpreh ai.

Sipas operatorëve, mungesa e një pakete mbështetëse nga qeveria ka përkeqësuar situatën, duke i shtyrë ata drejt masave drastike. Memaj paralajmëroi se nëse nuk merret një vendim i shpejtë, nga java e ardhshme mund të ketë reduktim të ndjeshëm të shërbimit.

“Ne kemi bërë thirrje dhe kërcënim, se me këtë realitet, nga java që vjen do të punojmë me 70% të mjeteve. Pra, duam të kufizojmë lëvizjet për të frenuar kostot”, tha ai.

Megjithatë, sipas tij, një vendim përfundimtar pritet pas një komunikimi me bashkinë.

“Bashkia ka premtuar se ditën e hënë do të na informojë lidhur me vendimin që do të marrë për të zbutur këto efekte. Pra nesër, të hënë, ne vendosim se sa autobusë do të kufizojmë. Vendimi i parë dhe i menjëhershëm që nevojitet është kompensimi për litër për naftën, njësoj si mekanizmi që u zbatua pas luftës Rusi-Ukrainë", shtoi Memaj.

Një kufizim i flotës së autobusëve pritet të ndikojë drejtpërdrejt në qarkullimin urban dhe ndërqytetas, duke rritur rrezikun për mbingarkesë dhe vështirësi për qytetarët. Situata mbetet në pritje të reagimit të institucioneve, ndërsa operatorët paralajmërojnë se vendimet e tyre do të varen nga mbështetja konkrete që do të ofrohet.

Lini një Përgjigje