Aktualitet24 Korrik 2023, 14:19

Situata e zjarreve në Shqipëri, Peleshi kritika bashkive: Në krye të Emergjencave keni vënë persona që nuk ua dini as emrat

Shkruar nga Pamfleti

Situata e zjarreve në Shqipëri, Peleshi kritika bashkive: Në krye

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka deklaruar se janë 1600 punonjës të zjarrfikëses në dispozicion në një kohë kur zjarret sa vijnë e shtohen në vendin tonë.

Në një deklaratë për mediat, Peleshi solli në vëmendje se ka bashki që nuk e konsiderojnë parësore çështjen e emergjencave civile dhe e rendisin si një punë të dorës së dytë. Më tej, ministri nuk i ka kursyer kritikat, ndërsa tha se ka bashki që në krye të Emergjencave Civile kanë vënë persona që nuk ua dinë as emrat.

“Falenderoj kryetarët e bashkive që kanë ardhur në këtë takim shpresoj që kryetarët që nuk janë këtu ose të jenë në krye të detyrës ose mbase i dinë të gjitha mirë detyrat që u ngarkon ligji në raport me këtë ekspozim ndaj emergjencës më kritike të stinës, që janë zjarret.

E vërteta është që ka edhe bashki që nuk e kanë parësore punën e emergjencave civile e quajnë si punë të dorës së dytë. Kanë emëruar një person që ndonjëherë nuk i dinë as emrin dhe mendojnë që kështu bëhet, sepse në fund të fundit nëse ndodh një emergjencë ka një ‘big brother’ që mendon, dikush aty lart, për shembull kur zjarri shkon në qiell, kanë një numër telefoni, i bien telefonit të qendrës, kërkojnë helikopterin. Ne nuk jemi një vend pa kapacitete operacionale, kemi 1600 punonjës zjarrfikës, 182 mjete zjarrfikëse, 80 autobot uji, kemi personelin dhe mjetet veç këtyre, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që siç e dini në çdo emergjencë janë në front. Kemi gjithë strukturën e Policisë së Shtetit, strukturat përkatëse që janë në dispozicion dhe me të cilët punojmë shumë mirë, kemi urgjencën mjekësore, kemi rrjet vullnetarësh”, u shpreh Peleshi.

Ndërkohë edhe drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka sqaruar situatën nga zjarret në vend.

Ai theksoi se për të parandaluar përshkallëzimin e flakëve është shumë i rëndësishëm lajmërimi në kohë i ekipit zjarrfikës.

“Aty ku bashkitë apo komunitetet vendore, kryesisht kryetarët e fshatrave, janë më të vëmendshëm, më bashkëpunues dhe reagues, edhe rezultati është shumë herë më pozitiv. Rritja e nivelit të gatishmërisë së strukturave të Emergjencave Civile në nivel bashkie duhet të bëjë përditësimin e takimeve me kryetarët e fshatrave, të sensibilizojë gjithë komunitetin, të përcjellë numrat e shërbimit për zonat dhe të ndërhyjë në kohë. Asnjë zjarr nuk merr përmasa nëse funksionon i gjithë sistemi i monitorimit dhe veprimit”, u shpreh Çako.

peleshi bashki emergjenca