
Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme një shkresë të SPAK që refuzoi kërkesën e tij për ta lejuar të takonte avokatët e huaj, me qëllim përgatitjen e procedurës para Gjykatës së Strasburgut.
Veliaj është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për 5 akuza si: korrupsion, pastrim parash, fshehje e pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve të paligjshme në vendin e vuajtje së dënimit.
Kryebashkiaku i Tiranës mbrohet nga dy avokatët, Ermir Beta dhe Artur Selmani, por përmes një kërkese drejtuar SPAK, pretendonte të takohej dhe me avokatët e dy studiove të huaja, të cilat ka pajtuar që t’i përgatisin dosjen për në Strasburg.
SPAK ka rrëzuar kërkesën e Veliaj, me argumentin se ligji i lejon vetëm dy avokatë dhe se që një avokat i huaj ta mbrojë në gjykatë duhet se pari të jetë i regjistruar pranë një studioje avokatie në Shqipëri dhe duhet të jetë nga një prej vendeve pjesë e Bashkimit Europian.
Kundër vendimit të SPAK, Veliaj ka bërë ankim në GJKKO dhe pritet që gjykatësi Erion Bani të marrë vendim lidhur me këtë kërkesë të tij, pra nëse do të lejojë takim të avokatëve të huaj me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në ambientet e paraburgimit të Durrësit.
SPAK i ka mbyllur hetimet për Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona të tjerë, shoqëri dhe OJF. Dosja pritet të dorëzohet brenda muajit për gjykim në gjykatën e Posaçme.
Lini një Përgjigje